Kryeministri Ramush Haradinaj tha prerazi në Kuvend se nuk e do e përkrahë versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo deklaratë e kryeministrit është bërë sot në Kuvend kur u pyet nga deputeti i Vetëvendosje-s, Dardan Molliqaj, nëse ka ndërruar qëndrim për Demarkacionin.
“Zona që po flasim edhe parimi i ndarjes së territorit janë majat e larta, nga Çakorri, Kulla, do të thotë majat e larta.
Zona e Bjelluhes përfshihet nga pjesa e majës e këtej dhe nuk shoh ndonjë dallim. Nuk e kam precizuar asnjëherë të gjithë vijën majë m’maje, por kontesti është i hapur në dy rrugë, pra akset rrugore prej Plavës dhe ajo që vjen prej Rozhajës.
Shikoni, arbitrazhi si temë, proçedurat që pasojnë mes shteteve ose standardet unë nuk i shpika sot. Pra ajo që është në kompetencë tonën, është duke u bërë. Kemi ndërruar një komision, ka filluar punën një komision tjetër, që i ka duart e lira, ka përkrahjen e kabinetit dhe partnerëve të koalicionit që ta gjejë të vërtetën. Ne presim të vërtetën, presim të variantet dhe do të diskutojmë bashkë. Ju e dini që vota ime personale për këtë version, është jo edhe mbetet jo”, tha Haradinaj. /tesheshi.com/