Kryeministri Haradinaj shfrytëzoi një aktivitet përkujtues në 29-vjetorin e vrasjes së heroit Enver Hadri, për të përcjellë mesazhet e politikës së ditës, ato që kanë të bëjnë me kufijtë dhe taksën
“Sot, 20-vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa qarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia”, tha Haradinaj, duke hyrë më pas menjëherë në temë:
“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100%, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje. Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë”, theksoi i pari i qeverisjes së Kosovës. /tesheshi.com/