Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka shprehur gatishmërinë e administratës amerikane për të ndihmuar Prishtinën në procesin e dialogut me Beogradin dhe konfirmoi të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas RTK2, Haradinaj e deklaroi këtë pas takimit me Mattis në Pentagon.
Ai është takuar me zyrtarë të lartë të Mbrojtjes amerikane tha se “ushtria e Kosovës do të jetë një garanci e paqes në vend dhe rajon, multi-etnike dhe gati për të shërbyer përkrah ushtrisë amerikane në misionet paqeruajtëse në mbarë botën.”
Haradinaj, siç shton media shtetërore e Kosovës, e informoi Mattisin lidhur me zhvillimet në Kosovë, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të forcave të sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se qeveria e Kosovës është e fokusuar për të vazhduar partneritetin me Pentagonin dhe Uashingtonin zyrtar dhe nga Mattis ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. /tesheshi.com/