Kryeministri Ramush Haradinaj, një ditë pasi u ratifikua Demarkacioni ka folur për korrigjimin që do bëhet në vijën kufitare me Malin e Zi, duke thënë se përkrahja e Komisionit për formimin e trupës së përbashkët me këtë shtet fqinj është jetike për këtë proces.
Ai ka thënë se pjesë e marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend është edhe raporti i Komisionit “Bulliqi” dhe deklarata e dy presidentëve që i tashmë i obligon të bëjnë korrektimet e nevojshme në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.
“Puna e palodhshme dhe e mbështetur në fakte e Komisionit për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, argumentet e të cilëve ndihmuan shumë lidershipin politik për të marrë vendime të duhura shtetërore, e veçmas puna e tyre i ka ndihmuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me ratifikimin e Marrëveshjes i dhanë përgjigje një çështjeje që kishte mbetur pezull plot tre vjet”, shkruan ai në Facebook.
Kujtojmë se nënkryetari i Kuvendit nga LDK, Kujtim Shala gjatë debatit maratonik për Demarkacionin i ka thënë Haradinajt se duhet të raportojë në Kuvend për korrigjimet që mund të bëhen. /tesheshi.com/