Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, siç pritej, ka reaguar ashpër ndaj aplikimit nga Kosova për anëtarësim në BE. Sipas tij, kështu po vijohet me shkelje marrëveshjesh.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë. Dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç, duke shtuar se “në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara”.
“Dhe, në vazhdën e dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”, tha Vuçiç.
Liderët e Kosovës nënshkruan më herët dokumentin për aplikimin për anëtarësim në BE, i cili pritet t’i dorëzohet Republikës Çeke, e cila kryeson Presidencën e BE-së.
Nga vetë kjo e fundit nuk ka asnjë reagim. /tesheshi.com/