Çdo ditë e më shumë po shtohen zërat se për t’i dhënë një zgjidhje finale çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshja duhet të dërgohet në arbitrazhin ndërkombëtarë.
Pas deputetit të LDK-së Arben Gashi një mendim të tillë e ka shprehur edhe deputeti i PDK-së Xhavit Haliti.
“Unë mendoj që politikisht, në interes të Kosovës është që të ketë një marrëveshje me Malin e Zi dhe çështja të shkoj në arbitrazh dhe Bashkimi Evropian, qoftë Komisioni Evropian apo Parlamenti Evropian, si përgjegjës për liberalizimin e vizave ta shtyjnë përpara të drejtën e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Kurse çështjen e Demarkacionit ta merr për ta zgjidhur Gjykata e Arbitrazhit”, tha Haliti për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk beson që insistimi i qeverisë për ta kaluar marrëveshjen do të sjell ndryshimin e qëndrimit të deputetëve
“Qeveria mund ta sjell marrëveshjen, por unë jam skeptik që ajo mund të ratifikohet, për shkak se qeveria nuk i ka votat në Kuvend. Duke pasur parasysh se nuk janë votat e mjaftueshme për ratifikim, mendoj se kjo marrëveshje do të prodhojë situata të pakëndshme”, thotë Haliti,
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova.
Andaj, tani Prishtina mund të jetë e detyruar që t’i drejtohet sërish Podgoricës me kërkesën që të gjejnë forma tjera të zgjidhjes.
Ratifikimi i Demarkacionit i është vënë Kosovës si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. /tesheshi.com/