Ndërkohë që numri i familjeve të varfra po shtohet në Kosovë, ka edhe disa njerëz, që janë të pakët, por që merren çdo ditë me këtë brengë. Ndër ta është edhe Halil Kastrati. Ai u kthye nga diaspora dhe mori një mision humanitar, duke ndihmuar në mënyra të ndryshme shqiptarët e Kosovës të cilët kanë mbetur pa gjerat më elementare dhe pa kulm mbi kokë.
Ai është themelues i Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe bashkë me bashkëpunëtorët e tij të vullnetit të mirë identifikojnë dhe ndihmojnë familjet në nevojë. Ai ka fituar besimin të bizneseve dhe njerëzve të cilët e përkrahin shoqatën. Halili gjatë një interviste për portalin tesheshi.com tregon se çka e ka shtyrë për të marrë këtë mision humanitar dhe për llojet e ndihmave që kanë dhënë deri tash, si krijimi i kuzhinës humanitare, furnizimin me gjëra ushqimore çdo të premte për disa familje dhe ndërtimin e disa shtëpive. Në këtë intervistë ai na tregon edhe për përvojën e tij me familjet e varfra, e në veçanti për dy raste të familjeve të varfra të cilave ka arritur që t’iu ndihmojë, rrëfim i cili të rrëqeth trupin.
Intervistoi: Bashkim Kastrati
A mund të na tregoni fillimisht se çka ju ka shtyrë që të merreni këtë mision humanitar?
Ajo që më ka shtyrë mua që të jem në shërbimin e njerëzve me nevoja të veçanta është se një kohë kam qenë jashtë shtetit, kam dalë ilegalisht, me të arritur në një shtet evropian, na kanë marrë dhe na kanë strehuar, duke na dhenë gjërat më elementare dhe duke na ndihmuar. Aty kam hasur për herë të parë kuzhinat humanitare, jam interesuar shumë dhe kam pa organizimin dhe mbarëvajtjen e punës që e bënin për t’iu dalë në ndihme nevojtarëve. Nga atëherë kam menduar se një ditë kur të vij në Kosovë do të bëj të pamundurën që këto aktivitete humanitare t’i kemi edhe në Kosove dhe falë Zotit jemi duke u munduar t’i gëzojmë sadopak shumë familje.
Kur ka filluar aktivitetin Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe cilat janë aktivitet kryesore të kësaj shoqate?
Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” është themeluar në nëntor të vitit 2009 dhe aktivitetet e shoqatës janë:
– Kuzhina humanitare pasi që në kuadër të shoqatës është kuzhina humanitare në qytetin e Prizrenit ku ushqehen me nga një shujtë ditore 200 persona, kryesisht jetimë dhe familje me kushte të rënda sociale.
– Ndihmë mujore financiare për fëmijë jetimë. Janë rreth 116 jetimë për momentin që marrin nga 30 euro në muaj.
– Ndihmë me gjera ushqimore për familjet me gjendje të rende sociale në tërë territorin e Kosovës.
– Çdo të premte shoqata jonë ndihmon 5 familje me artikuj ushqimore në vlerë prej 100 euro për secilën familje, ky aktivitet shtrihet në tërë territorin e Kosovës.
Si dhe një herë në dy muaj shoqata ndërmerr aksion të madh humanitar deri në 50 familje.
– Ndërtimi i shtëpive. Ky aktivitet ka nisur në fillim të vitit 2015 dhe falë Zotit dhe njerëzve bamirës, vitin 2015 e kemi mbyllur me ndërtimin e 11 shtëpive . Kryesisht donatorët janë nga diaspora por edhe nga brenda Kosovës.
Sa persona jeni të angazhuar në këtë shoqatë?
Stafi i shoqatës gjithsej ka pesë persona në menaxhim si dhe punëtorët e kuzhinës humanitare të cilët janë dy. Zakonisht në aksionet tona humanitare paraqitën shumë vullnetarë, por thuajse kemi çdo herë edhe nga donatorët tanë të rregullt të cilët marrin pjesë në aksionet tona të ditës së premte si vullnetarë.
Si i përzgjidhni familjet në nevojë dhe në cilat janë komunat ku keni ndihmuar familjet e varfra?
Janë disa mënyra për verifikimin e familjeve nevojtare, njëra ndër to është që kemi bashkëpunime me zyrat sociale në nivel komunash. Pastaj kemi njerëzit tanë në shume qytete dhe fshatra që na njohin dhe i njohim. Kërkojmë nga që ta verifikojnë filan familjen, shkojmë e ndihmojmë me artikuj ushqimore, pastaj nëse situata është ekstreme, në e alarmojmë opinionin dhe donatorët tanë, kështu që fillojmë edhe ndërtimin e shtëpisë.
A keni kërkesa të shumta që iu janë drejtuar për ndihmë?
Për fat të keq në Kosovë çdo ditë që po vjen po është më e rëndë se ajo që po shkon. Çdo ditë në shoqatën tonë vijnë kërkesa të shumta, lista është e gjatë e atyre të cilët kërkojnë ndihmë, por ne shkojmë me kapacitetin që e kemi.
Çfarë lloje ndihmash i jepni familjeve në nevojë dhe a keni të dhëna se sa shtëpi i keni ndërtuar deri më tani dhe sa ndihma tjera ushqimore e veshmbathje keni shpërndarë për të varfrit?
Zakonisht siç e cekem më lartë, ndihma jonë është me artikuj ushqimorë në vlerë prej 100 euro për familje si dhe me veshmbathje. Deri tani ne kemi ndihmuar rreth 1300 familje me artikuj ushqimore dhe veshmbathje. Për vitin 2015 janë 11 shtëpi në vende të ndryshme që janë bërë falë angazhimit dhe ndihmës tonë.
A mund të na përmendni ndonjë rast gjatë aktivitetit tuaj që ju ka lënë mbresa të paharruara?
Kemi shumë raste dhe histori që ne i bartim me vetë. Njëra ndër to është edhe kjo: Kemi shkuar për ta ndihmuar një familje në një fshat të komunës së Malishevës, jemi tmerruar nga situata që ne e kemi pa në ketë familje. Më e rënda ka qenë se kur kemi dalë nga shtëpia, i zoti i shtëpisë me kap dorën mua personalisht, dhe me lot në sy me thotë mua “kam tri ditë e tri net që kam qëndruar në mal, nuk kam mundur të shkoj në shtëpi, nuk kisha qa t’u jepja fëmijëve për të ngrenë, nëntë fëmijë, gjashtë nga këta fëmijë të sëmurë, kam qëndruar në mal sepse s’kisha asgjë për t’iu dhenë”. E tani falë Zotit dhe shumë njerëzve të vullnetit të mirë, kjo familje i ka të gjitha kushtet dhe ne e kemi në listën tonë ku e mbajmë nën kontroll dhe nuk i lëmë që të vuajnë për ushqim dhe veshmbathje.
Kemi shume raste të cilat secila ngërthen në vetë një histori. Rasti tash i fundit, një familje në qytetin e Prizrenit. Një nënë e shtrirë në krevat që 15 vite, një nënë që luste dhe ëndërronte ta shihte vetën në shtëpi të re. Ky është rasti më i rëndë që e kemi pasur. Kësaj nënë i kalonin edhe minjtë mbi trup, e kjo pa pasur mundësi të lëvizte. Jemi angazhuar në maksimum për këtë familje, ka qenë shumë e vështirë edhe për ne, sepse nuk e kanë pasur as truallin kështu që është dashtë me gjet dhe me ble edhe truallin kësaj familje. Çdo ditë na thërriste dhe na pyeste se a ka diçka të re. Ia blemë truallin dhe ia ndërtuam shtëpinë, falë shumë bashkatdhetarëve tanë nga diaspora, por edhe nga shumë bamirës nga Kosova. Një nënë që 15 vjet nuk e kishte parë edhe lagjen se ku jetonte, i erdh dita për të hyrë në shtëpi të re. Me ambulancë të emergjencës dhe në prani të një mjeku dhe dy ndihmës të mjekut, e nxorëm nga ajo shtëpi ku u dergj 15 vjet, e pa shtëpinë e re, e shijoi dhe u kënaqë. Ishte shumë mirënjohëse dhe me lot në sy më tha: “Të shumëkush kam lyp derman, por ty të bëri Zoti sebep dhe ma gjete dermanin. Me nxore nga terri në dritë, ma realizove ëndrrën shumëvjeçare dhe Zoti s’ka me ju humbur kurrë”. Mbas katër ditësh pasi hyri në shtëpi të re, morëm lajmin se kjo nënë vdiq. U mërzitëm edhe ne, por nga ana tjetër edhe u gëzuam që të paktën ja arritëm qëllimit që ajo ta sheh dhe ta gëzojë shtëpinë e re, u gëzuam që ëndrrën, dëshirën dhe kërkesën e saj të kamotshme ia realizuam.
A e keni të vështirë që të mblidhni mjete financiare, a mblidhni më shumë në diasporë apo si është ky organizim?
Çdo fillim është i vështirë, andaj në fillim kemi hasur në vështirësi të mëdha për të siguruar mjete, por tani na njohin dhe kanë fituar bindjen dhe besimin tek ne. Falë angazhimit dhe punës tonë të pandalshme, publikimit të aktiviteteve tona, sot ka ardhur dita që kompani dhe njerëz të ndryshëm, vet na lajmërohen dhe na bashkëngjitën në aksionet tona humanitare. Selia qendrore e shoqatës është në Prizren, shumë biznese të qytetit, por edhe të Kosovës janë të anëtarësuar në shoqatë. Sot shumë markete e mbajnë gjallë kuzhinën tonë humanitare, duke na dhuruar artikujt që na nevojitën për kuzhinë. Disa herë na ndihmon edhe KFORI gjerman. Donatorët tanë janë nga shumë vende të botës, por të gjithë janë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme, por janë edhe shumë kompani dhe njerëz të vullnetit të mirë që janë nga brenda Kosovës.
Cilat janë planet që i keni në javët/muajt e ardhshëm për të ndihmuar familjet në nevojë?
Planet tona janë që këto aktivitete që i kemi, por që ta rrisim kapacitetin, sepse ju thamë që kërkesat janë të shumta. Mendojmë që në kuzhinën tonë t’i shtojmë edhe 50 persona në ditë. Planifikojmë që çdo të premte t’i ndihmojmë 10 familjeve në Kosovë. Urojmë që viti 2016 të jetë më se pakti 20 familje që të gëzohen me shtëpi të re. Por me kryesorja është që ne e lusim Zotin që situata socio-ekonomike të përmirësohet dhe mos të kemi njerëz apo familje të shumta që kanë nevojë për ndihmën tonë. Ju falënderoj shumë dhe shpresoj të kemi edhe me ju një bashkëpunim në të ardhmen siç e kemi me telegrafin dhe me mediat tjera, sepse edhe ju e jepni një ndihmë të madhe, duke i informuar njerëzit për shumë familje që kanë nevojën e shumëkujt. Zoti ju nderoftë. /tesheshi.com/