Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn u drejtohet qytetarëve shqiptarë përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, për krizën politike në vend dhe zgjedhjet e 18 qershorit. Ai thotë se zgjedhjet e 18 qershorit janë ligjore dhe Partia Demokratike, pavarësisht ofertave të shumta që i janë bërë, zgjodhi të mos marrë pjesë në to. Hahn dënon thirrjet për ‘aksione’ që cënojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar.
Letra e plotë:
Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq, ju drejtohem sot me shqetësim të madh. Javët e fundit kemi bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike në Shqipëri, përpjekje të përfaqësuesve të BE-së, unë i përfshirë dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Kemi dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e palëve dhe njëkohësisht jemi përpjekur të lehtësojmë dialogun për daljen nga kriza. Për këtë u ofruan disa propozime, me shpresën se udhëheqësit e partive do të binin dakort për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.
Fatkeqësisht nuk patëm marrëveshje. Ndaj sot jemi në një situatë kur përgatitjet për zgjedhjet e 18 qershorit vazhdon dhe zgjedhjet do të mbahen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.
Bojkoti ishte një zgjedhje e opozitës. Unë e respektoj këtë zgjedhje, por njëkohësisht ndjej keqardhje për këtë vendim të saj. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me standarde. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse dikush vendos që të qëndrojë pas.
Demokracia dhe standardet e saj nuk mund të pengohen nga bojkotimi i institucioneve dhe i zgjedhjeve. Këto të fundit do të vlerësohen në bazë të meritës dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve, ODIHR, së fundmi nisi misionin vëzhgues në Shqipëri. Ne jo vetëm e mbështesim fuqimisht këtë, por presim nga gjithë institucionet shqiptare që të garantojnë një bashkëpunim të plotë dhe transparent për këtë mision, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën zgjedhjeve. Është në interesin e Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtare t’u krijohen të gjitha kushtet për kryerjen e misionit të tyre vëzhgues.
Prandaj, më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për “aksione” që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto “aksione” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Është thelbësore për vlerat europiane, që të idetë dhe propozimet politike, pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo jo, të diskutohen brenda institucioneve demokratike, sidomos në Parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politik të të gjitha palëve në vendin tuaj.
Në këtë këndvështrim, me lejoni të them një gjë: fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan, nuk është fitore për askënd; është një humbje për demokracinë.
Kam besim të plotë se qytetarët shqiptarë do të kërkojnë prej udhëheqësve të tyre politike që të tregojnë përmbajtje dhe matuir në një vend që shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Europian.
Të jemi të qartë, udhëheqësit do të jenë përgjegjës në përpiqen të minojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.
Bashkimi Europian do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor dhe më kryesorja, do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.