Bajerni i Mynihut i ka “marrë një mendje” dhe Guardiola ka qenë dakord me vendimin e klubit, për emrin e pasardhësit të Ançelotit, në krye të pankinës së bavarezëve. Kjo është e gjitha çka ndodhi në drekën e thirrur nga presidenti i Bajernit Uli Hënes dhe ish – trajnerit Pep Guradiola.
Sipas mediave që kanë cituar edhe “dëshmitarë okularë” të “ngjarjes”, në restorantin italian në Mynih, Hënes i ka shprehur qëndrimin e klubit për trajnerin e ardhshëm dhe Guardiola ka dhënë opinion pozitiv, duke njohur nga afër edhe situatën në klubin kampion të Gjermanisë, që stërviti për disa vite.
Ndërkohë mediat kanë shkuar edhe tek emri i pasuesit të Ançelotit, duke zbuluar se do të jetë Tomas Tuhel, “timonieri” i skuadrës bavareze, gjithnjë nëse nuk do të ketë ndonjë përmbysje të situatës apo ndonjë vendim të minutës së fundit. Tuhel shihet si trajner që punon mirë me yjet dhe shumë i aftë taktikisht. Por përveç emrit të ish – trajnerit të Borusias së Dordmundit, për të marrë drejtimin e Bajernit, u përfolën edhe emrat e Luis Enrikes dhe Luis Van Gal, gjithnjë si favoritë “inferiorë” krahasuar me kandidaturën e Tuhel. /tesheshi.com/