Në ditën e fundit nga afati i paraparë me Ligj dhe Kushtetutë, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ia dorëzoi këtë të hënë mandatin për përbërje të qeverisë së re, kreut të partisë fituese të zgjedhjeve, Nikolla Gruevskit.
Nga sot e tutje, mandatari, në këtë rast Gruevski në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e qeverisë. Nëse i njëjti nuk arrin marrëveshje me partitë politike shqiptare, atëherë sipas Kushtetutës mandati i kalon partisë së dytë sipas numrit të mandateve të fituara, LSDM-së.
Nga ana tjetër partitë politike shqiptare BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, më 7 janar e publikuan platformën e përbashkët e cila do të jetë baza e tyre në negociatat për krijimin e qeverisë së re. Agjenda e përbashkët politike e tre partive parasheh barazi të plotë gjuhësore, gjegjësisht përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhjen e kontestit për emrin me përfshirjen e shqiptarëve në grupin punues për negociata të drejtpërdrejta me Greqinë, si dhe për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Pa këto kushte, nuk ka qeveri me partitë shqiptare; dhe gjegjësisht mund të formohet një qeveri e koalicionit të gjërë derisa të caktohen zgjedhje të reja parlamentare.
Si sinjal të parë, Gruevski ka thënë se nuk pranon kushte. Barra më e rëndë e provës bie mbi BDI-në e Ali Ahmetit, aleat i Gruevksit, nëse do qëndrojë si burrat duke respektuar platformën e përbashkët.
M.Krasniqi -/tesheshi.com/