Gruaja që drejton diplomacinë kosovare, Meliza Haradinaj, tha se Serbia nuk duhej të ulej në dialog me Kosovën, gjersa në vend të kërkimfaljes për dramën që ka shkaktuar, vijon me politika agresive, referuar rastit të aktivizimit të fletëarresteve për ish-ushtarakë të UÇK-së.
“Serbia si palë agresore, që nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që vranë, masakruan, dhunuan, shkatërruan e vodhën gjithçka, NUK do të duhej të ketë mundësinë të ulet në tavolinën dialoguese përballë Kosovës përderisa përditëson fletëarrestet politike ndaj luftëtarëve çlirimtarë që mbrojtën pragun e shtëpisë!”, u shpreh Haradinaj. Reagimi i saj pason rastin e ndalimit të një tjetër ish-figure të UÇK-së, kësaj here në Turqi, ish-gjeneral Imri Iliazi.
Por si në rastin e Shqipërisë një javë më parë, me një tjetër ish-ushtarak, s’ka patur gjasë të vijojë ndonjë tjetër procedurë në zbatim të kërkesës serbe.
Haradinaj tha se ka zhvilluar bisedë me homologun turk Mevlut Cavusoglu lidhur ma ndalimin e ish-gjeneralit Imri Ilazi.
“Pas disa minutash, ministri dhe ambasada jonë në Ankara më njoftuan se z.Ilazi është liruar”, është shprehur ajo. /tesheshi.com/