Në faqet plot të historisë islame, me personazhe të famshëm që e fituan famën e tyre në fusha ushtarake, politike, shkencore apo të tjera, ndodhet dhe një grua e quajtur Keumalahayati ose Malahayata, admiralja e parë grua në botën moderne, e cila lundronte në det me flotën e saj të madhe të grave të veja dhe që i shkaktoi disfata pushtuesve portugezë dhe holandezë.
Malahayata lindi në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë në Sulltanatin e Aceh-ut, “Darusselam”. Sulltanati i Aceh-ut u ngrit në veri të ishullit indonezian të Sumatrës dhe ekzistoi për gati 400 vjet. Ajo u themelua nga Ali Mughayat Syah me Bandungun si kryeqytet. Ai arriti të zgjerojë kufijtë e tij duke i rezistuar pranisë së portugezëve në bregdetin malajas.
Aceh ishte e para nga mbretëritë e lashta indoneziane që përhapi Islamin dhe vendosi lidhje të forta me Perandorinë Osmane.
Babai si model dhe burim frymëzimi
Edhe si vajzë, Malahayata ra në dashuri me detin dhe u lidh me të nëpërmjet të atit, i cili ishte modeli dhe frymëzimi i saj, admirali Mahmud Syah.
Ajo si adoleshente nuk tërhiqej nga punët e shtëpisë si vajzat e tjera të moshës së saj dhe nuk pranoi të martohej në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, me gjithë këmbënguljen e nënës së saj. Në vend të kësaj, Malahayati vendosi të ndiqte ëndrrën e saj për t’u bërë një admiral detar si babai i saj.
Një ëndërr e vrarë nga portugezët
Nuk ishte e zakonshme që gratë në atë epokë të zgjidhnin një karrierë ushtarake, por Malahayata ishte qartësisht një përjashtim për shkak të prejardhjes së saj të shquar.
Mësimet e para i mori në shkollën islame “Pesantren”, e kishte për qëllim thellimin e njohurive të saj për Kuranin. Si institucione shoqërore, shkollat “Pesantren” kanë luajtur një rol të madh ndër shekuj. Djemtë dhe vajzat muslimane u ndanë nga familjet e tyre, gjë që kontribuoi në një ndjenjë përkushtimi individual ndaj besimit dhe një lidhje të ngushtë me mësuesit.
Pas mbarimit të shkollës islame “Pesantren”, Malahayata vazhdoi studimet në Akademinë Mbretërore Ushtarake (Marina) në Aceh, e njohur si “Ma’had Beitul-Makdis”.
Shkolla kishte një numër të madh të personelit ushtarak të siguruar nga Perandoria Osmane, e cila atëherë ishte aleate me Sulltanatin e Aceh-ut. Në akademi, ajo u takua me një oficer të marinës, me të cilin u dashurua dhe shpejt u martua, por jeta e tyre së bashku nuk zgjati shumë. Ëndrra për një jetë të lumtur martesore dhe familjare u ndërpre nga lufta që Sulltanati i Aceh-ut bëri kundër Portugalisë.
Konkretisht, me gjithë fitoren e forcave të Sulltanatit të Aceh-ut në një betejë detare kundër pushtuesve portugez në gjirin Haro në ishullin e Sumatrës, humbjet e Sulltanatit i kaluan mijëra luftëtarë, duke përfshirë edhe bashkëshortin e Malahayatas.
Flota e grave
Malahayata ishte shumë e trishtuar për vdekjen e të shoqit, por ajo nuk e la pikëllimin që të thyente dhe ta mposhte. Dhe kështu, pasi burri i saj u vra duke luftuar kundër pushtuesve portugezë, ajo i kërkoi Sulltanit të Aceh-ut që ta lejonte të krijonte një flotë grash që kishin humbur burrat e tyre duke luftuar kundër portugezëve. Me insistimin e saj, sulltani përfundimisht lejoi formimin e një flote vejushash.
Pas krijimit të flotës, Malahayata u emërua admiral i saj. Ajo komandoi flotën në disa raste, jo vetëm kundër portugezëve, por edhe kundër holandezëve që kryen bastisje nën maskën e negociatave tregtare.
Beteja dhe fitore
Malahayata mbikëqyri ndërtimin e një fortese të madhe në bregun e Aceh-ut dhe flota e saj bëri përshtypje te liderët evropianë të asaj kohe.
Në vitin 1599, komandanti i ekspeditës holandeze, Cornelis de Houtman, mbërriti në portin e Aceh-ut, në një kohë kur fillonte kolonizimi evropian i mbretërive dhe sulltanateve të vogla që përbënin Indonezinë e sotme, dhe kur fuqitë evropiane, kryesisht Portugalia, Holanda dhe Anglia, po konkurronin për ndikim dhe dominim.
Sulltani e pranoi derisa de Houtman e ofendoi. Përkatësisht, Cornelis solli me vete një përkthyes portugez, të cilin sulltani e konsideroi si fyerje për shkak të armiqësisë së tyre ndaj pushtuesve portugez. Pas kësaj, Sulltanati i Aceh-ut nisi shumë beteja kundër flotës holandeze, e cila drejtohej nga admirali Malahayata. Në ato beteja ajo arriti të mposhtë holandezët, të vriste Cornelisin dhe të kapte vëllanë e tij.
Në vitin 1600, marina holandeze, e udhëhequr nga Paulus van Caerden, plaçkiti një anije tregtare në brigjet e Aceh-ut. Pas këtij incidenti, në qershor 1601, Malahayata urdhëroi arrestimin e admiralit holandez Jacob van Neck.
Pas shumë incidenteve që bllokuan ekspeditat detare holandeze dhe kërcënimeve nga flota spanjolle, princi holandez, Maurits van Oranje, dërgoi emisarë me një letër diplomatike faljeje në Sulltanatin e Aceh-ut.
Të dërguarit ishin Admirali Laurens Bicker dhe Gerard de Roy. Në gusht 1601, Malahayata u takua me të dërguarit e Maurits për një traktat. U ra dakord për një armëpushim dhe holandezët paguan 50 mijë guldena si kompensim për veprimet e Paulus van Caerden, ndërsa Malahayata liroi të burgosurit holandezë. Pas marrëveshjes, Sulltani dërgoi tre emisarë në Holandë.
Lufta diplomatike
Në betejat kundër holandezëve, Malahayata nuk e harroi hakmarrjen ndaj portugezëve, ndaj sulmoi flotën e tyre në një betejë epike që përfundoi me fitoren e saj. Pas kësaj, sipas burimeve të disponueshme, Malahayata u emërua në pozicionin më të lartë në Sulltanatin e atëhershëm të Aceh-ut dhe ajo e rriti flotën e saj detare në qindra anije luftarake.
Ajo u emërua komandant i forcave dhe rojeve të gjykatës, dhe kryediplomate në Sulltanat. Madje ajo zhvilloi negociata me të dërguarin e mbretëreshës angleze Elizabeth I. Domethënë, reputacioni i Malahayatas si roje i mbretërisë ose Sulltanatit të Aceh-ut, e detyroi Anglinë të zgjidhte një metodë paqësore diplomatike që do t’i lejonte asaj të hynte në ngushticën e Malaça-s. Letra e mbretëreshës Elizabeth I u soll nga James Lancaster te Sulltani dhe ishte Malahayata që udhëhoqi negociatat me Lancaster. Rezultati i këtyre negociatave ishte një histori e gjatë e lidhjeve tregtare angleze me Aceh-un.
I njëti fat
Malahayata pati fatin e burrit të saj, pasi ajo u vra në anijen e saj nga portugezët – vrasësit e burrit të saj – në një betejë detare në Gjirin Teluk Kruneg Raya dhe u varros në Bukit Kota Dalam, një fshat i vogël peshkimi 34 km larg Banda Aceh.
Sot, kjo grua muslimane e guximshme me gradën admiral, të cilën disa, për shkak të ndikimit që kishte e krahasojnë dhe me mbretëreshën legjendare babilonase Semiramis apo mbretëreshën ruse Katerina e Madhe, ka universitete, spitale dhe rrugë në disa qytete të Sumatras me emrin e saj. Po ashtu dhe një anije qëhet “Malahayata”. Porti detar pranë varrit të saj quhet edhe porti “Malahayata”. Në nëntor 2017, Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, i dha asaj titullin e nderit Hero Kombëtar i Indonezisë. /tesheshi.com/