Pedagogë të Fakultetit Filologjik kanë nisur një grevë në përkrahje të protestave studentore, e ardhur kjo në kohën e një zbehjeje të tyre deri në shuarje. Ata, pos që kërkojnë plotësimin e kërkesave studentore, shtojnë nga vetja dhe anullimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, e potencuar kjo së fundi dhe nga ata pak studentë që vijojnë protestat, në llojin e ngujimit në klasa.
Ende nuk janë bërë publikë të gjithë emrat e pedagogëve që u janë bashkuar studentëve, por një rol protagonist pritet ta marrë Valentina Duka, ndër më të njohurat e kastës së profesoratit të Filologjikut, e që është dhe deputetet e PD-së.
“Me keqardhje të thellë vërejmë se raporte të tilla të këqia e problematike të një qeverie me universitetin, nuk janë shfaqur në Shqipëri as në kohët më të errëta të komunizmit. Kjo gjë nuk i shërben reformimit të universiteteve tona, të cilat me gjithë mangësitë e dobësitë e tyre, kanë një meritë thelbësore për edukimin e rinisë sonë universitare”, është shprehur ajo në kuadër të nisjes së kësaj greve, një risi e protestave.
Pedagogët në grevë pretendojnë se “Pakti për Universitetin” shkel autonomine universitare, ndërkohë që drejtues të universiteteve akuzohen nga kryeministri Rama se mosmarrja e përgjegjësive në autonominë e garantuar nga Ligji i Arsimit të Lartë, ka çuar në rebelizmin studentor. /tesheshi.com/