Anulimi i një marrëveshjeje mes Turqisë me Maqedonisë në sferën e arsimit për njohjen reciproke të diplomave të ndërsjellta në të gjitha ciklet e arsimit të mesëm dhe universitar, e cila ishte arritur më 6 korrik të vitit 1998, ka shokuar opinionin, sidomos atë shqiptar në Maqedoni, si dhe nxitur thashetheme të ndryshme. E shokuar mbetet edhe Ministra e Arsimit dhe Shkencës, ku ministri Pishtar Lutfiu ende e ka të paqartë dhe nuk beson të ketë pasur ndonjë arsye për prishjen e marrëveshjes.
Ndryshe ky vendim i autoriteteve turke i dekretuar nga presidenti Rexhep Taip Erdogan hyn në fuqi me 11 shkurt 2017 dhe me të kthehet gjendja e para vitit 1998 kur dy vendet nuk njihnin diplomat në sferën e arsimit.
“Marrëveshja e nënshkruar më 6 korrik 1998 në Shkup, mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë me numër 98/11600, dhe e futur në fuqi më 12 korrik 1998 në lidhje me pranimin e diplomave të shkollave të mesme, universitare, magjistraturës dhe doktoratës, nga data 11 shkurt 2017, SHFUQIZOHET. Në bazë të artikullit me numër protokolli 11494949, të datës 22 nëntor 2016 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bazë të ligjit 244, neni 3, të datës 31 maj 1963, ky vendim është marrë në mbledhjen e këshillit të ministrave më datën 12 dhjetor 2016.”, kështu thuhet në vendimin e shtetit turk.
Dhe për ta qartësuar më mirë se për çka konkretisht bëhet fjalë, arsyet dhe pasojat eventuale të këtij vendimi, eksluzivisht në intervistë për portalin tesheshi, flet analisti politik dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike në Turqi, Murat Aliu.
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Thuajse nëpër gjitha mediumet në Maqedoni po qarkullon një lajm(document) i çuditshëm ku thuhet se Turqia pas 19 viteve ka shfuqizuar marrëveshjen bilaterale me Maqedoninë në sferën e arsimit për njohjen reciproke të diplomave në të gjitha ciklet e arsimit të mesëm dhe universitar. Ju si njohës i mirë i zhvillimeve politike në Turqi, si do ta kishit komentuar këtë vendim?
Të them të drejtën, ky vendim i qeverisë së Turqisë më ka habitur shumë, por jo vetëm mua edhe i gjithë opinionin këtu në Maqedoni. Është një hap i habitshëm për vetë faktin se deri më tani marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë kanë qenë të shkëlqyeshme në të gjitha nivelet, dhe tani papritmas vjen një veprim i tillë nga Turqia që të gjithë neve na shtin të mendojmë se ndoshta diçka nuk është në rregull në marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve.
Ndonëse vendimi për shfuqizim të një marrëveshje të tillë tani është publikuar në gazetën zyrtare të Turqisë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu ende e ka të paqartë dhe nuk beson të ketë pasur ndonjë arsye për prishjen e marrëveshjes. Mund të quhet kjo mospërfillje e shtetit turk për autoritetet maqedonase?
Duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në praktikën diplomatike, çdo shtet i cili shfuqizon çfarëdo qoftë marrëveshjeje bilaterale ose multilaterale ka obligim moral dhe politik të njoftoj palën tjetër nënshkruese për veprimin në fjalë. Mirëpo meqë ky veprim i Turqisë është bërë në mënyrë pak sa të paqartë, mendoj se duhet të presim edhe një kohë të caktuar për t’u kristalizuar rrethanat, sepse një hap i tillë i Turqisë do të kishte pasoja fatale për shumë studentë nga Maqedonia të cilët studiojnë atje dhe e kundërta për studentët turq të cilët studiojnë në Maqedoni, ku siç dihet numri i tyre është goxha i konsiderueshëm.
A thua vallë ky vendim mund të jetë një lloj hakmarrjeje nga Turqia për Maqedoninë pasi që autoritetet në Maqedoni para disa muajsh nuk e morrën në shqyrtim kërkesën turke për mbylljen e shkollave të mbështetura nga fondacionet e klerikut Fetullah Gylen?
Kërkesa e autoriteteve turke për mbylljen e shkollave të lidhura me lëvizjen Gylen të cilat operojnë në Maqedoni dhe shpërfillja e autoriteteve të Maqedonisë ndaj këtyre kërkesave, ka mundësi reale të ketë ndikim ose të ketë shtyrë Turqinë për një veprim të këtillë. Sepse siç e dimë lëvizja Gylen nga shteti i Turqisë është shpallur si lëvizje terroriste. Por prap se prap do të thoja që ky veprim i Turqisë më shumë paraqet një presion taktik ndaj autoriteteve të Maqedonisë për t’i detyryar ata t’i pranojnë disa kërkesa të caktuara në lidhje me këtë lëvizje terroriste se sa hakmarrje, sepse, fundja ashtu siç e cekëm edhe më lartë Turqia dhe Maqedonia deri më tani kanë pasur raporte të mira dhe nuk është në interes të asnjërës palë tensionimi i marrëdhënieve bilaterale për një çështje për të cilën mendoj se është e zgjidhshme.
Dhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje e re ndërmjet dy shteteve, Turqisë dhe Maqedonisë, deri në çfarë mase mund të ndikojë ulja e interesit të studentëve turq për studime në Maqedoni dhe anasjelltas?
Unë personalisht as që dua ta mendoj një skenarë të tillë, për faktin se sot në Turqi në të gjithë nivelet arsimore studiojnë disa qindra studentë nga Maqedonia. Çka do të bëjnë këto studentë kur të kthehen në Maqedoni nesë shteti ynë nuk ua njeh diplomat e Turqisë, a do të vlerësohen nul këto diploma? Pra është një skenar i padëshirueshëm nga askush. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje e re ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë natyrisht që do të zvoglohet numri i studentëve turq në Maqedoni dhe e kundërta. Ajo që është shqetësuese në këtë veprim të Turqisë është shkëputja e një tradite të gjatë të arsimimit të shumë qytetarëve të Maqedonisë në Turqi dhe kjo do të thotë një zbehje të marrëdhënieve në nivel kulturorë.
Si do ta kishit vlerësuar filozofinë e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në këtë pyetje: A më shumë do kishte marrë një vendim për shfuqizim të marrëveshjes për njohjen e diplomave për ta rrikthyer rininë në vendlindje, ose do të nënshkruan një marrëveshje të re dhe sërish që të stimulojë studentët të studiojnë në Maqedoni në mënyrë që ta shtrijë ndikimin e politikës së jashtme në Maqedoni?
Realisht, studentët turq të cilët vijnë dhe studiojnë në Maqedoni janë studentë të klasës se mesme dhe pjesërishtë klasës të lartë të cilët nuk kan arritur të fitojnë pikët e duhura ose nuk kanë arritur të kualifikohenn për t’u regjistruar nëpër universitetet në Turqi. Dhe në këtë kontekst nuk besoj që presidenti turk, Erdogan, ka qëllim që të kthejë rininë në vendlindje. Sepse siç e dimë bëhet fjale për qëndrim të përkohshëm të këtyre studentëve në Maqedoni të cilët një ditë si e si do të kthehen përsëri në Turqi. Personalishtë mendoj se bëhet fjalë për një veprim taktik diplomatik me të cilin synohet t’i dërgohet ndonjë mesazh Maqedonisë për çëshje të caktuara. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, mendoj se Turqia dhe Maqedonia do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të nënshkruar ndonjë marrëveshje të re në këtë drejtim, sepse aspak nuk është korekte që me qindra studentë të cilat vijonë studimet në të dy shtetet t’u merret kjo e drejtë. /tesheshi.com/