Qeveria siriane ka lajmëruar për një seri sulmesh ajrore në lindje të vendit, prej së cilave janë vrarë tre ushtarë sirianë. Ajo ka akuzuar për sulmet koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të, por forcat ushtarake amerikane kanë mohuar të jenë përfshirë në to.
Nga sulmet ajrore është goditur një kamp ushtarak pranë Ajjashit, në provincën Dejr ez-Zor. Forcat ajrore siriane janë aktive në këtë rajon, pjesë të së cilës janë nën kontrollin e ISIS-it.
Për shkak të pranisë së shumë forcave ajrore që kryejnë operacione mbi Siri, është shumë e vështirë të përcaktohet përgjegjësi për sulmet, por nëse vërtetohet se kanë qenë forcat e koalicionit, kjo do të ishte hera e parë që goditen trupat qeveritare siriane.
Ministria e Jashtme siriane deklaroi këtë të hënë se katër avionë luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të goditën me raketa një kamp ushtarak sirian, duke vrarë tre ushtarë e duke plagosur 13 të tjerë. E njëjta ministri e ka denoncuar sulmin në OKB. /tesheshi.com/