Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, përmes një njoftimi për media ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për 300 euro për gjyqtarët e krimeve të rënda dhe njëkohësisht shpreson që rritja e pagave të bëhet edhe për gjyqtarët e të gjitha departamenteve, të të gjitha niveleve të Gjykatave.
“Së fundmi disa gjyqtarë kanë kërkuar që t’iu rritet paga. Ne mbështesim pa rezervë kërkesën e gjyqtarëve të të gjitha gjykatave për rritje të pagës, ashtu siç ishte premtuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës kohë më parë. Duke u bazuar në përgjegjësitë që kanë gjyqtarët, shkallën e lartë të rrezikshmërisë dhe sigurinë e pamjaftueshme, kërkesa e gjyqtarëve për rritje të pagave është mëse e arsyeshme dhe meriton përkrahje të çfarëdo mënyre apo forme. Marrë shkas nga fakti se paga është joproporcinale në raport me punën dhe rreziqet e punës së gjyqtarëve, Shoqata shpreson se qeveria do të veprojë sa më parë që të fuqizohet ligji i pagave”.
“Ne shpresojmë se Qeveria e Republikës se Kosovës do të gjejë forma dhe mënyra për ta realizuar premtimin e vet, e nëse kjo nuk ndodh, Shoqata është e gatshme t’i mbështesë të gjitha veprimet e gjyqtarëve për realizimin e kërkesave të ligjshme dhe të drejta të tyre”, thuhet në komunikatë./tesheshi.com/