Emri i Pablo Escobar, kreut famëkeq të kartelit kolumbian të drogës, nuk mund të përdoret si markë tregtare për mallra dhe shërbime në Bashkimin Evropian, ka vendosur Gjykata e Përgjithshme e BE-së në Luksemburg.
Gjykata arsyetoi se emri lidhet me trafikun e drogës, krimin dhe vuajtjet njerëzore dhe se nuk duhet të mbrohet nga ligji për pronësinë intelektuale.
Vendimi u mor pasi Escobar Inc, një kompani e themeluar nga vëllai i tij në Porto Riko, aplikoi në vitin 2021 në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO) për të regjistruar emrin e Pablo Escobar si markë tregtare për mallra dhe shërbime në BE.
EUIPO e refuzoi aplikimin sepse konsideroi se marka ishte në kundërshtim me “parimet morale të pranuara”.
Në vendim thuhet se ndonëse Escobar nuk është dënuar asnjëherë penalisht, e drejta e tij për prezumimin e pafajësisë nuk është shkelur për shkak se ai shihet në mbarë botën si simbol i “gangsterizmit” dhe krimit të organizuar përgjegjës për shumë krime.
Escobar u vra nga policia në vitin 1993 në Medellin kur ishte 44 vjeç.
Ai themeloi kartelin Medellin dhe fitoi miliarda duke kontrabanduar kokainë në SHBA. Ai dyshohet se është përgjegjës për vdekjen e mijëra njerëzve.
Ky vendim mund të apelohet në gjykatën më të lartë evropiane – Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED). /tesheshi.com/