Gjykata Supreme e Kosovës rikthen për gjykim dosjen ndaj kreut të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, duke kundërshtuar vendimin e Apelit që rrëzoi dënimin që u ishte dhënë Mujës dhe 6 bashkëpunëtorëve të tij për korrupsion.
Gjykata Themelore e Prizrenit vitin e kaluar ka shpallur gjashtë të pandehurit fajtorë për vepra të pretenduara penale për korrupsion. Në aktakuzë pretendohej se të dyshuarit kishin kryer vepra të ndryshme penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.
Më 22 korrik 2015, Gjykata e Apelit pjesërisht ka pranuar ankesat e paraqitura nga avokatët mbrojtës, duke anuluar aktgjykimin e ankimuar të Gjykatës Themelore dhe ka kthyer lëndën në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Sipas një komunikate të EULEX-it, më 26 nëntor 2015, një kolegj i përzier i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.
Gjykata ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit me anë të të cilit lënda ishte kthyer në rigjykim. Lënda i është kthyer Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një kolegj tjetër.
Gjashtë të akuzuarit në rastin “ Muja dhe të tjerët”, akuzohen se kanë kryer vepër penale me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës, pa përfillur procedurat ligjore.
Për këto akuza Muja në shkallën e parë ishte dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe njëkohësisht i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh. Ndërsa edhe pesë zyrtarët e tjerë ishin dënuar.
Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht dhe Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht. /tesheshi.com/