Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arreste për katër deputetë opozitarë të Kuvendit të Kosovës.
Bëhet fjalë për Albin Kurtin, Faton Topallin, Albulena Haxhiun, si dhe për shefen e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupin.
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj në konferencën e përbashkët për media të opozitës ka thënë se organet e drejtësisë nuk duhet të bëhet instrument i politikës.
“Dëshirojmë t`ua bëjmë të qartë gjithë qytetarëve se jemi në një betejë për të mbrojtur Republikën. Kam ftesë për Prokurorinë që të mos bëhet instrument i politikës, sepse ne jemi duke mbrojtur republikën dhe duhet ta kuptoje atë”, ka theksuar Limaj.
Urdhër-arrestet janë lëshuar për shkak të situatës së krijuar në seancat e fundit në Kuvend, ku deputetët opozitarë kanë hedhur gaz lotsjellës dhe spraj në drejtim të kabinetit qeveritar. /tesheshi.com/