Gjermania po regjistron një rekord në eksportin armëve dhe këtë vit, të cilat mund të tejkalojnë rekordin e vitit 2015.
“Deri në fund të shtatorit të këtij viti, qeveria gjermane ka aprovuar eksportet e armëve në vlerë 6.35 miliardë euro, që është 75 përqind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, u përgjigj qeveria federale ndaj një kërkese të Partisë së Gjelbër në Bundestag.
Kjo mund të thyejë rekordin e vitit 2015, kur Gjermania eksportoi armë në vlerë 7.86 miliardë euro.
Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier e shpjegoi këtë ngritje të mprehtë me faktin se vitin e kaluar, shumë vendime për eksportin e armëve në vende të caktuara, për shkak të një mosmarrëveshjeje për këtë çështje brenda qeverisë, qëndruan të ngrira.
Kjo vlen veçanërisht për eksportet e armëve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat, për shkak të përfshirjes në luftën në Jemen, janë në listën e vendeve për të cilat eksportet e armëve janë të diskutueshme.
Hungaria renditet e para për sa i përket sasisë së armëve gjermane të blera, e cila bleu armë me vlerë 1.77 miliardë euro në nëntë muajt e parë të këtij viti.
Lista e vendeve që blejnë më shumë armë nga Gjermania përfshin dhe Egjiptin e Algjerinë. /tesheshi.com/