Një i ri në Lipjan dha frymën e fundit nën peshën shtypëse të disa policëve, një ngjarje e rëndë që ngjan me rastin e pak viteve më parë të George Floyd-it në SHBA, mbytur nga Policia gjatë një akti të ashpër arrestimi, duke i vënë gjunjët në qafë.
Policia, në tentativë për ta neutralizuar, siç tregohet dhe nga pamjet që tashmë janë bërë publike, ushtron forcë mbi të, edhe me metodën e gjunjit në fut, pa e kuptuar se po i merrte jetën. Dhe kur përpëlitjet mbarruan, së bashku me prangosjen e tij, atëherë u kuptua se kishte ndodhur fatalja, humbja e jetës.
Për këtë rast, Policia e Kosovës ka lëshuar të një komunikatë për media, duke ofruar më shumë hollësi për rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, pasi është ndaluar nga zyrtarët policorë.
Sipas Policisë, i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Policia thotë se ka pranuar informacion nga gjashtë qytetarë “se një person me sjellje agresive, përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata, por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to”.
Sqarimi policor vijon më tej uke thënë se edhe pas arritjes së ekipit në vendin e ngjarjes, situata nuk ka qenë në kontroll dhe që 27-vjeçari ka pasur sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme, andaj zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin një sprej policor.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor.
Po ashtu, gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jobashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Sipas Policisë, ekipi mjekësor emergjent ka arritur në vendin e ngjarjes brenda tre minutash për t’i dhënë personit ndihmën e parë, dhe më pas njësia emergjente e ka konstatuar vdekjen e tij.
“Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim”.
Policia thotë se është e vendosur për zbardhje të rastit në të gjitha aspektet.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.
Nga ana tjetër, familja e viktimës, veç tronditjes për humbjen e njeriut të tyre, është shprehur e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.
Vëllai i viktimës i tha medias se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.
Ndërsa pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan.
Ata kanë vënë në dyshim nëse policët e përfshirë kanë pasur trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj.
Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren, sipas asaj çfarë raporton REL.