Pas deklaratës së ministrit Saimir Tahiri, në lidhje me pranimin nga ana e deputetit demokrat Gent Strazimiri se kishte një armë gjatë protestës për parkun e liqenit, ka reaguar ky i fundit, i cili shprehet se askush nuk e ka njoftuar se duhet të dorëzojë armën.
“Gent Strazimiri as ka qenë dhe as do jetë kurrë në paligjshmëri, sepse që në gen është e kundërta e “Mekes”… Ende në këtë moment, Griseldi i radhës nuk ka sjellë njoftim tek Gent Strazimiri për dorëzim arme. E ka çuar kudo, madje në çdo “mjero tv”, “mjero gazetë” online dhe offline por tek Gent Strazimiri ende jo”, – shkruan Strazimiri në një reagim të tijin, duke sulmuar në këtë mënyrë edhe mediat.
Sipas tij, është paligjshmëri e megaskandal fakti që Ministri i Brendshëm vendos në shërbim të trafikantëve të drogës makinën e tij, kapet në flagrancë dhe përpiqet të justifikohet me “shitjen” e saj, duke pranuar që ka falsifikuar transaksionet në deklaratën e pasurisë…dhe për këto heshtin edhe Prokuroria edhe ILDKPKI…
“Kjo është paligjshmëria, dhe përballë kësaj, Gent Strazimirin do ta kenë përballë sa të ketë frymë! Do ta kenë përballë këta dhe të gjithë mjerot, “çufot” dhe “bubat kaçurrel” që montojnë skenare, japin pretenca madje dhe vendime përfundimtare “në emër të popullit””, – përfundon reagimin e tij deputeti demokrat. /tesheshi.com/