Një prej gazetarëve më të njohur të botës arabo-islame, Faisal Al-Kassim, i ka kushtuar një shkrim kritik disa ndryshimeve të paralajmëruara, ose që kanë ndodhur në vazhdimësi në disa vende me strukturë sociale islame, nën tezën e ndryshimeve në funksion të modernitetit. Ai pretendon se nuk është kundër modernitetit, porse nuk pajtohet me një “lojë” që sipas tij luhet me këto vende, nga fuqitë e mëdha, sipas interesave të caktuara, të ndryshme në kohë. Ai nuk pajtohet gjithashtu dhe me kokëuljen e bindjen e udhëheqësive të disa vendeve arabe, ndaj atyre që i quan “padronë” mbi ta…
Nga Faisal Al-Kassim
Shoqëritë arabe për momentin janë duke lundruar nëpër ndryshime të frikshme politike, kulturore, fetare dhe sociale, dhe nuk po janë në gjendje që të sjellin anijen e tyre në një breg të sigurtë. Kjo, para së gjithash, për shkak se në shoqëritë arabe janë duke qeverisur regjime të cilat nuk janë të pavarura dhe nuk janë stabile, dhe këto regjime janë duke përmbushur axhendat politike të vendosura nga padronët e tyre. Dhe së dyti, për shkak se shoqëritë arabe janë vetëm një laborator testimi, për të mos thënë që, ata janë duke na trajtuar si minj laboratori për çdo lloj eksperimentimi.
Herë pas here, shoqërive arabe u kërkohet të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës, kulturën e tyre, madje edhe bindjet e tyre fetare, në mënyrë që fuqitë e huaja që qeverisin me ta, të jenë të kënaqura.
Pesë dekada më parë, fuqitë e caktuara që qeverisin rajonin tonë, si në aspektin gjeografik ashtu edhe atë demografik, si në aspektin mediatik ashtu edhe atë kulturor, filluan të praktikojnë sistemin që është më i ngjashmi me sistemin Firman. Kështu, njëra prej këtyre fuqive lëshon një urdhër të detyrueshëm për njërën prej vendeve tona, për t’u qeverisur sipas ligjit islam, dhe që të ketë një sistem të veçantë arsimor, për shkak se i përshtatej për të luftuar sistemet dhe regjimet e tjera në rajon, e cilat paraqisnin një kërcënim për interesat e tyre. Në fakt, në po atë kohë në disa vende arabe shfaqen regjimet nacionaliste dhe socialiste, të cilat në anën tjetër u shërbenin interesave të Bashkimit Sovjetik.
Regjimet arabe, si ato islame ashtu edhe ato socialiste ose nacionaliste, u shfaqën më tepër nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, se sa të ndikuar nga aspiratat dhe dëshirat e kombeve arabe. Kështu, disa vende arabe krijuan një regjim socialist për t’i kënaqur padronët e tyre sovjetikë, në kundërshtim me natyrën e shoqërive arabe dhe aspiratat e tyre, derisa disa të tjerë krijuan sistemin “islamik”, edhe një herë, sepse ishte në interes të padronëve të tyre amerikano-evropianë.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ndryshuan interesat gjeostrategjike, andaj ndryshuan edhe aleancat. SHBA shfaqet si fuqia e vetme botërore, dhe shoqëritë arabe tani janë të detyruar që të bëjnë një kthesë prej 180 gradë, në mënyrë që të kënaqin padronët amerikanë, të cilëve nuk u intereson rendi shoqëror të cilin ata vetë e kanë vendosur dhe propaguar në disa vende arabe.
Në gjykimin tim, pikërisht kjo është arsyeja kryesore përse shoqëritë arabe vuajnë nga paqëndrueshmëria dhe anarkia, dhe tronditjet e frikshme politike dhe sociale për shumë vite.
Disa vende arabe, për më shumë se pesë dekada kanë ndërtuar atë që ata e konsiderojnë “shoqëria islame”, duke investuar gjatë gjithë kohës fonde të mëdha për forcimin dhe popullarizimin e këtij kuptimi. Por, e vërteta është se qëllimi i të gjitha këtyre përpjekjeve nuk ishte ndërtimi i komunitetit musliman dhe shoqërisë shembullore islame, por që të shfrytëzohet në luftën kundër forcimit të ideve komuniste në botën arabe për shkak se forcimi i komunizmit ishte në dëm të interesave amerikane.
Në kulmin e konfliktit amerikano-sovjetik, ky regjim kinse islamik furnizon luftëtarët afganë kundër pushtimit sovjetik përmes muxhahidëve arabë të cilët shkojnë atje për të mbrojtur vëllezërit e shtypur. Më vonë, rezulton se kjo është vetëm një lojë me ndjenjat fetare, prapa së cilës qëndrojnë shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara dhe disa regjime arabe. Sapo ndryshuan rrethanat për Shtetet e Bashkuara, këta, deri dje muxhahidët arabs fisniks, në terminologjinë e atyre që i krijoi, papritmas u bënë terroristë, për shkak se ata vetëm janë dashur të përdoren për të mundur sovjetikët në Afganistan, në mënyrë që në vend të tyre, përmes veprimeve mirë të projektuara, të vijnë amerikanët pas ngjarjeve të 11 shtatorit.
Në thelb, pasi Amerika hoqi qafe kërcënimin komunist, xhihadi islamik u bë i padëshirueshëm, prandaj u bë e domosdoshme që shoqëria e cila për dekada kishte jetuar në korniza të rregullave strikte islame, të ndryshonte rrënjësisht për të krijuar një sistem të ri vlerash, sipas dëshirës së padronëve perëndimorë.
Prandaj nuk është e çuditshme që disa institute në Perëndim vendosin një strategji për futjen e një Islami të lehtë, i cili do të jetë i dobishëm për planet e reja amerikane në rajon. Ky Islam i ri duhet të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ajo që nevojitej gjatë Luftës së Ftohtë. Ky është një “islam liberal”, karakteristika themelore e të cilit është që pa rezerva të pranojë të gjitha vlerat, normat dhe perceptimet perëndimore, dhe i cili punon me zell për përhapjen e tyre në rajon. Në këtë kontekst, nuk është çudi fenomeni i “neoislamistëve” arabë të cilët ngrenë zërin e tyre dhe deklarojnë fillimin e një lufte vendimtare kundër “virusit të radikalizmit” dhe për përhapjen e Islamit të ri, karakteristikë e së cilës është toleranca, dashuria dhe demokracia.
Megjithatë, shtrohet pyetja: kush është në gjendje që të kryejë këtë detyrë për shpërbërjen e shoqërisë arabe dhe rindërtimin e saj në themele krejtësisht të reja? Përgjigja është e thjeshtë: janë mediat. Por jo çdo lloj i medias, por media të paskurpullta të cilat duhet t’i ngulfasin shoqëritë me programe argëtuese që ndezin pasionet, për shkak se ky është një mjet efektiv për ndërrim të pikëpamjeve dhe ndryshim të vetëdijes. Dhe kjo është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, sepse ajo duhet të ndryshojë ndërgjegjen e shoqërisë jashtëzakonisht konservatore, e cila për dekada ka ruajtur trashëgiminë e asaj, që tani quhet Islam radikal. Vetëm këto media imorale në këtë shoqëri “radikale”, të vërshuara me programe muzikore të paskurpullta, seriale dhe filma vendore dhe të huaj, me këngëtare dhe valltare të zhveshura, janë në gjendje të deradikalizojnë shoqërinë.
Për momentin, ata duan që ne të jemi balerinë dhe balerina, por gjithashtu ata duan që ne të qëndrojmë të gatshëm, që kur të shfaqet përsëri nevoja, të bëhemi përsëri muxhahidë.
Përktheu: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/