Presidenti i SHBA Donald Trump e dinte që virusi i koronës ishte “vdekjeprurës” dhe më i keq se gripi edhe kur qëllimisht mashtroi publikun amerikan për rreziqet në shkurt dhe mars, sipas një libri të gazetarit amerikan Bob Woodward, i cili do të botohet së shpejti.
Në një intervistë me Woodward, sipas këtij të fundit, Trump tha se po ulte rrezikun e koronavirusit gjatë gjithë kohës sepse nuk donte të shkaktonte panik, sipas një artikulli në The Washington Post.
“Thjesht thithni ajër dhe kështu transmetohet”, i tha Trump Ëoodëard-it më 7 shkurt në një bisedë telefonike.
“Dhe kështu është shumë e papërshtatshme. Eshtë shumë delikate. Dhe është gjithashtu më vdekjeprurëse edhe se gripi juaj i fortë”, tha Trump.
“Kjo është një gjë vdekjeprurëse,” përsëriti presidenti për të theksuar rëndësinë, shkruhet në artikull.
Në një takim të inteligjencës me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare më 28 janar, Trump mësoi se virusi përbënte një kërcënim serioz, sipas librit të Woodward-it të quajtur Rage, i cili pritet të dalë më 15 shtator.
Kërcënimi më i madh
“Ky do të jetë kërcënimi më i madh i sigurisë kombëtare me të cilën do të përballeni gjatë mandatit tuaj presidencial,” i tha Robert O’Brien, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit Trump, thotë Woodward, i cili zhvilloi 18 intervista të drejtpërdrejta me presidentin e SHBA nga dhjetori 2019 në korrik 2020
“Kjo do të jetë gjëja më e vështirë me të cilën do të përballeni”, i tha O’Brien Trump-it.
Pas paralajmërimeve të shumta nga komuniteti i inteligjencës, Trump minimizoi publikisht kërcënimin e virusit në shkurt dhe nuk arriti të paralajmëronte publikun për rrezikun me të cilin përballen SHBA.
“Ne e ndaluam atë që të vinte nga Kina,” i tha Trump drejtuesit të Fox News, Sean Hannity më 2 shkurt.
Kritikët thonë se reagimi i ngadaltë i presidentit dhe dështimi për të zhvilluar një strategji kombëtare anti-virus kanë çuar në më shumë vdekje sesa ishte e pashmangshme dhe në dëmin aktual ekonomik të shkaktuar nga pandemia.
Më shumë se 181,000 vdekje janë raportuar në Shtetet e Bashkuara mes 6.2 milion rasteve të COVID-19.
Menaxhimi i dobët i Trump i krizës së shkaktuar nga virusi e ka dëmtuar atë në fushën politike. Trump mbetet prapa kandidatit demokrat për president Joe Biden në sondazhet e opinionit publik sepse votuesit e konsiderojnë administrimin e tij të pandemisë joadekuate.
“Ndërsa kjo sëmundje vdekjeprurëse po shkatërron vendin tonë, ai qëllimisht ka dështuar në punën e tij,” tha Biden gjatë një tubimi parazgjedhor në Michigan.
Trump dhe ndihmësit e tij kanë argumentuar më parë se reagimi i ngadaltë ndaj epidemisë është rezultat i dështimit të Kinës për të paralajmëruar siç duhet botën.
“Presidenti nuk e minimizoi kurrë virusin,” u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany gazetarëve të martën, pasi artikulli u botua në Washington Post.
“Presidenti nuk e ka gënjyer kurrë publikun për COVID-in. Presidenti ka treguar qetësi dhe lëvizjet e tij e pasqyrojnë atë,” tha McEnany.
Libri i Woodëard, megjithatë, duket se minon pretendime të tilla.
“Gjithmonë kam dashur ta minimizoj atë,” i tha Trump Woodwrd-it në 19 mars.
“Ende më pëlqen ta minimizoj rrezikun sepse nuk dua të krijoj panik”, i tha Trump Woodward-it, sipas pamjeve të lëshuara nga The Washington Post.
Publiku amerikan nuk u alarmua deri më 25 shkurt, kur Dr. Nancy Messonnier, drejtori i Qendrës Kombëtare të Imunizimit dhe Sëmundjeve të Frymëmarrjes, tha në një konferencë për shtyp se virusi po vinte.
“Nuk është më çështje nëse kjo do të ndodhë, është çështje kur do të ndodhë”, tha Messonnier.
Tregjet e aksioneve në SHBA ranë 3 përqind pasi lajmi u dha atë ditë dhe Trump, i cili po kthehej nga India me një avion Air Force One, ishte i zemëruar me titullin. Shtëpia e Bardhë më pas ndaloi Messonnier të bënte deklarata publike në të ardhmen.
“Do të zhduket. Një ditë, si një mrekulli, do të zhduket”, tha Trump publikisht më 27 shkurt.
Libri i Woodward-it zbulon më tej nënçmimin e Trump ndaj komandantëve ushtarakë amerikanë, negociatat e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe pikëpamjet e tij mbi protestat e jetës së zezë, të cilat kanë riformuar politikën e SHBA gjatë tre muajve të fundit. /tesheshi.com/