Nga Bardha Nergjoni
Nëse do ta njihini mjeshtërinë e Gaz Pajës në aktrim, duhet të ndiqni monodramën e startuar së fundi me atë protagonist. Pasardhësin e denjë të Luftar Pajës, si gjak e si dell artistik, jemi mësuar ta shohim si aktor të prerë për humor, por jo; ai është i prerë për të qenë aktor dhe i pakufizuar në ndonjë gjini. Ah, do më shumë teatrin sesa filmin. Por dhe kjo është më tepër çështje shijeje sesa profile, si fjala vjen me Timo Fllokon që iu lidh shpirti pas filmit dhe pak, shumë pak hipi në skenën teatrore. Regjizori i monodramës “Legjenda e pianistit”, Ilir Muhametaj, shprehet se e ka menduar Gazmend Pajën për këtë rol shumë kohë më parë dhe kjo për karakterin e tij, profilin e spikatur dhe mënyrën se si tregon. Gazi, sipas tij, di të bëjë po aq mirë dramën dhe tragjedinë sa edhe humorin.
Në nisjen e turit nëpër Shqipëri, Gazmend Paja ndalet në Elbasan, vendos të bëjë xhiron e famshme në bulevard dhe merr vëmendjen e qytetarëve. Është aq popullor sa e gjithë xhiroja shkon me fotografi dhe autografe. Flet me duar dhe me këmbë, e rrezaton shumë pozitivitet edhe kur nuk bën batuta. Për Elbasanin thotë se i pëlqen, por nuk pranon se “ka hyrë mik” Salsano Rrapi, për t’a nisur nga ky qytet turin e tij. Në një intervistë për dramën, humorin, veten dhe të kaluarën e tij, Gazi nuk kursen batutat, ndodhitë interesante dhe “çapkënllëqet” e fëmijërisë.
Gazi, si ju ka pritur publiku në një monodramë kur pjesa më e madhe ju personifikojnë me humorin?
Sigurisht që ka vështirësi, por nuk është hera e parë që luaj një rol dramatik megjithëse është e para herë që bëj një monodramë. Sigurisht që unë jam trajnuar për këtë punë dhe në skuadër ja kemi dalë shumë mirë. Gjithashtu jemi vlerësuar edhe nga publiku.
Ju keni deklaruar se kjo monodramë ishte një katharsis. Si ka ndodhur ky proces?
Katharsisi ka ndodhur qysh në procesin e punës dhe analizës së pjesës gjatë provave. Pra ka ndodhur gjatë analizës dhe ka hedhur rrënjë në vetë shfaqjen.
Ju ka ndryshuar kjo pjesë?
Kur ulësh e punon dhe një vlerë shumë të madhe ka dhe ndjenja. Është një vepër me fuqi të jashtëzakonshme. Të bën të reflektosh dhe unë kam refletuar për gjëra që nuk e kam bërë më parë.
Gazin e kemi parë në film, teatër dhe humor. Ku anon më shumë zemra?
Jam përfshirë herët në aktrim. Filmi im i parë ka qenë në 86-tën me Manjola Nallbanin me titullin “Rikostruksioni”. Ka qenë një rol episodik. Filmi është një eksperiencë që ngelet dhe ka jetëgjatësi. Televizioni ka benefite më të mëdha pasi jeton shumë mirë, të jep më shumë famë dhe sukses. Dikur e thoja, sepse e thonin disa mjeshtra të artit botëror dhe kombëtar, por tani edhe e kuptoj që teatri është një kuti magjike fantastike. Zemra ime është në teatër.
Pra, teatri të jep më shumë emocione?
Po, teatri është një emocion i jashtëzakonshëm. Nëse bën dy muaj një shfaqje dhe e ndërpret, pra nuk je më aq aktiv e kupton ndryshimin. I madhi Sulejman Pitarka ka thënë një shprehje shumë të bukur ndërsa hiqte kostumin e aktorit: “Ah, i mirë është teatri, por ka shfaqje”.
Keni fituar një sërë çmimesh për aktrim…
Po, kam fituar tre çmime ndërkombëtare. Qysh kur isha student në 2003 mu besua roli i Zhorzh Dande të Molierit në një festival ndërkombëtar dhe ishte padyshim përgjegjësi e madhe për mua. I solla Shqipërisë vendin e tretë në këtë festival mes qindra aktorëve pjesmarrës. Ndërkohë në 2004 u shpalla aktori më i mirë i festivalit. Në 2008, në Frankfurt, në një kompeticion mes 43 shtetesh, bashkë me regjizorin Altin Basha dhe Stefan Çapalikun zumë vendin e parë.
Ju keni studiuar shumë vite aktrim. Çfarë ndryshimesh kishin tri shkollat e aktrimit ku keni kaluar?
Fillimisht kam studiuar në Akademinë eArtëve në Athinë. Ka pasur gjera të mira. Ishte një eksperiencë e kënaqshme dhe më e mira për mua si nga ana jetësore ashtu edhe profesionale pasi Athina ishte fillimi. Mora pjesë në disa pjesë teatrore dhe më pranuan por vendosa të kthehem. Në Greqi kam ndjerë racizëm dhe kjo ishte një arsye pse u ktheva në Shqipëri. Ndërkohë në Londër ishte e kundërta pasi më dhanë shumë shtysë. Ndërkohë kur ktheva nga Akademia e Athinës u futa në Akademinë e Arteve këtu. Ne kemi shkollë shumë të mirë. Këtë e vërtetova në Londër ku ishte një sistem me bazën nga Stanislavski. Pra, ne shkollohemi me të njëjtin sistem dhe nuk kishte ndryshime me Londrën që është vendi i shkollës më të mirë të aktrimit në botë.
Aktrimin, dhe sidomos humorin, duket se e keni të trashëguar. Kujtoni një ndodhi të babait që mbahet mend në familje apo fis?
Ka plot ngjarje, por mund të kujtoj njërën. Gjyshi im ka qenë autoritar dhe shumë i gjatë ndryshe nga ne. Nuk e dimë nga ngjajmë, por mendoj nga gjyshja. Ne jemi nga Mallakastra labe dhe një herë qëlluan dy dasma në një të dielë. Gjyshi me babain ndahet dhe babait i bie të shkojë në mes të Labërisë, në Tërbaç të Vlorës. Dihet, siç ishin labët në atë kohë me mustaqe, ngrihet i pari i dasmës dhe i jep fjalën babait. “Dhe nashi fisi i Pajave do marri fjalën. Ganiu s’ka ardhur, po në vend të tij është Luftari”. Babai ngrihet dhe për të nxehur pak situatën thotë: Nuk jam shumë i fjalës, por doja të këndoja një këngë. Filloi babai të këndojë në Tërbaç një këngë nga Myzeqeja, “S’kalohet vetëm behari…”. Çohet i zoti i dasmës i acaruar “Luftar ulu se më dhjeve dasmën”.
Edhe emri juaj Gazmend ka një histori më vete?
Emrin e kam nga i madhi Kadri Roshi. Për dy ditët e para të lindjes e kam pasur emrin Spartak. Kjo sepse vitin që linda unë babai ishte me xhirime në një film dhe në atë kohë ishte shumë në modë filmi “Spartaku” me Dagllasin e famshëm. Kadriu e mësoi dhe i tha babait: “Ç’është ky emër? Të gjithë Spartak po e vënë! Unë mendoj t’ja vendosësh Gazmend. Pra Gaz dhe Mend. Të parin e kam, kurse për dytën po luftoj ende(qesh).
Keni pasur fatin të keni një fëmijëri të mirë pasi babain e keni pasur përveçse aktor edhe deputet. Si e kujtoni periudhën e komunizmit?
E pranoj që kemi qenë më mirë se të tjerët. Babai ka dalë qysh në vitet 80-të jashtë. Televizorin e kemi marrë atëherë kur ishte privilegj. Në raste koncertesh apo ndeshjesh vinin të gjithë komshinjtë e shihnin. Ishte gjë e bukur kur mblidheshim. Babai ka qenë shumë i disiplinuar. Nuk donte që në familje të kishte asnjë dru të shtrembur. Nuk e kuptoja në atë kohë dhe përlotesha kur shihja shokët që luanin dhe mua më duhet të studioja.
Unë gjithashtu ndiqja babain kur ai bënte xhirime. Më transferonin edhe me shkollën në atë kohë. Kur isha 8 vjeç, fillova të angazhohesha në teatër. Mbaj mend se më qepën një kostum të bardhë dhe një palë këpucë llustrafine. E kisha shumë qejf dhe e mora dy herë këtë kostum në shtëpi. Madje e kam veshur edhe në dy dasma, një prej tyre edhe këtu në Elbasan.
Po ndonjë ndodhi të veçantë që kujtoni nga fëmijëria?
Mbaj mend kur më dëgonte mamaja për bukë, para se të ndërroheshin sistemet, në kohën kur kishte vështirësi për ushqim, unë shkoja, merrja bukën dhe ndalesha e luaja futboll me shokët pasi ndryshe nuk më linte të dilja. Një herë më ndodh që më më vjedhin xhupin pasi e hiqja kur luaja. Nëna pasi më rrahu mirë e mirë, më dha një pallto që kishte pasur vëllai im, 8 vjet më i madh se unë për të më ndërshkuar. Herët e tjera kur dilja për të blerë bukë, nga frika se mos ma vidhnin sërish, luaja me gjithë pallto.
Jeni djalë aktori. Sa ju ka ndihmuar kjo?
Kam pasur fatin që ndoqa rrugën e babait. Jam krenar për këtë sepse kam justifikuar të gjitha portat që ai më ka hapur. Fëmijëria ime ishte ndryshe nga të tjerët pasi isha i detyruar të bëja firzamonikën, kitarën etj. Në atë periudhë e kishin një edukim të trashëguar dhe disiplina ka qenë shumë më e madhe se tani. Këtë disiplinë babai vazhdon ta ketë edhe tani e të jetë në rregull me ligjet. Ai nget një makinë vetë dhe policët nuk i kërkojnë dokumente, por vazhdon t’i ketë të gjitha dokumentet në rregull. Udhëton shumë me kujdes kur niset drejt jugut dhe kthehet.
Ju njiheni edhe për pasionin për motorrat…
Kam pasur historikisht motorr qysh nga viti 1995. Fillimisht një “Papaq” e pastaj ato markat e tjera. Deri vonë kam pasur një motorr të shpejtë. Prej motorëve kam pasur edhe pasoja. Jam rrëzuar në vitin 1999 në Bruksel. Pata një periudhë 2-vjeçare pa motor pasi ndenja për një muaj në spital. Së fundi kam pasur një Suzuki që kam rrezikuar në një rast në Pogradec dhe e hoqa dhe atë. Tani kam një motorr tricikël të 48-tës. Kur dalë jashtë qytetit, por edhe në Tiranë, lëviz me të por pa pasagjerë (qesh). /tesheshi.com/