Ka qenë një lajm i pritur shkarkimi i anglezit Gary Neville si trajner i Valencias katër muaj pasi ai mori detyrën dhe dështoi ta risillte në vete ekipin.
Dhjetë fitore në 28 takime në të gjitha aktivitetet, dhe nëntë ndeshje për të siguruar fitoren e parë në La Liga, kjo është ajo çka arriti Neville me Valencian. Katër humbjet në pesë ndeshjet e fundit në kampionatin spanjoll, e eliminimi në Ligën e Europës, e mbushën kupën. Vendi i 14-të në kampionat, një pozitë e paparë për Valencian, e bënë të pashmangshëm shkarkimin e ish-mbrojtësit të Mançester Junajtedit.
Në njoftimin e klubit spanjoll të Valencias thuhet mes të tjerash: “Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, klubi ka vendosur të bëjë një ndryshim… E falënderojmë Gary-n për punën e tij te Valencia dhe i dëshirojmë më të mirën në të ardhmen.”
Me një fymë miqësore ka reagur dhe Neville, që është shprehur: “Dëshiroj t’i falënderoj klubin e Valencias, tifozët, stafin e trajnimit, punonjësit dhe lojtarët. Do të doja ta vijoja punën e nisur, por e kuptoj se jemi në një biznes të bazuar në rezultatet, dhe me 28 ndeshje, 10 fitore, shtatë barazime dhe 11 humbje, ato nuk kanë qenë në nivelin që kërkon ky klub.”
Trajner i Valencias gjer në fund të sezonit është emëruar Pako Ayestaran, ndihmësi i Rafa Benitez-it kur ky drejtoi Valencian në vitet 2001-2004, duke kryer të njëjtën detyrë dhe te Liverpuli në vitet 2004-2007. /tesheshi.com/