Sulmuesi francez Kevin Gameiro ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me Atletikon e Madridit, duke u dhënë fund tre viteve të kaluara te Sevilja.
Synimi numër një i Atletikos ishte rikthimi në skuadër i Diego Costa-s, por kur kjo lëvizje u pa si gati e pamundur, u zgjodh Gameiro për përforcimin e sulmit.
Gameiro ka patur rol kyç në triumfet e Seviljes në Ligën e Europës. 29 gola shënoi ai në sezonin e shkuar në të gjitha aktivitetet, por nuk u thirr në përfaqësuesen e Francës.
Më herët ai është aktivizuar me PSG-në, skuadrën kampione në kampionatin francez.
Drejtim të kundërt ka ndjekur Luciano Vietto, i cili do të aktivizohet i huazuar te Sevilja. Pasi u transferua nga Vilareali një vit më parë, Vietto shfaqi vështirësi në ambientimin te Atletiko e Madridit, duke realizuar vetëm 3 gola në 28 paraqitje. /tesheshi.com/