Nga Eva Gjura
Megjithëse një ndër deputetet më të reja në parlament, zonja Mimoza Hajdarmataj ka ditur shumë mirë të zërë vendin e saj në sallën e parlamentit, në debatin politik dhe në diskutimet e rëndësishme politike me impakt në vendimmarrje. Zonja Hajdarmataj përfaqësohet në parlament nën siglën e PD-së, zonën e Tropojës, një zonë siç thotë ajo mjaft e varfër dhe e harruar nga vëmendja e shtetit.
Në intervistën e saj për ‘tesheshi.com’, deputeteja kritikon qeverinë për punën e bërë duke u shprehur se çdo ditë dhe më shumë po thellohet korrupsioni, i cili po rrit varfërinë e njerëzve.
Deputetja e Tropojës është nga ata që shikon edhe mangësi gjatë punës së bërë në qeverisjen e demokratëve. Sipas saj u shpërfill komunikimi njerëzor dhe nuk funksionoi investimi për zhvillimin e turizmit malor, sidomos në zonën e saj.
Znj. Hajdarmata ju jeni një ndër deputetet e reja në parlament. Cila është ndjesia juaj për tempullin ligjvënës, është ashtu siç ju e kishit paramenduar apo gjërat janë më ndryshe?
Unë jam deputete e re, por kam vite që marr pjesë në forumet dhe politikbërjen e PD me një eksperiencë të pasur që nga puna me seksionet në bazë dhe deri tek forumet e larta.
Për të ardhur në fokus të pyetjes suaj sigurisht që raporti i vlerësimeve brenda dhe jashtë parlamentit ka një domethënie të brishtë. Prisja shumë më tepër që niveli dhe perfomanca e deputetëve dhe deputeteve të ishte më civile dhe e ngritur. Zhgënjimi vjen nga mazhoranca, e cila edhe pse në radhët e saj ka kolege më vlera dhe modele për të mësuar, në një pjesë të mirë ka shumë vakum dhe zhgënjim. Sigurisht që mangësi ka dhe në politikbërjen e deputëve të grupit të opozitës, por që vijnë si pasojë e klimës së tendosur dhe aspak të përgjegjshme që ka auola plenare dhe debatet në komisionet parlamentare. Gjithsesi unë jam munduar dhe e bëj cdo ditë sfidën time, përballjen me angazhim maksimal të cështjeve në Parlament, vaçanërisht ato që i përkasin zonës që unë përfaqësoj dhe mbrojtjes së kauzave të opozitës.
Jam shumë e përkushtuar dhe sensitive ndaj të drejtave të grave, statusit ekonomik e social të nenave dhe shtresave në nevojë ku përfshihen shumica e shqiptarëve. Thellohem në diskutimet e temave që ia kam vënë vetes si qellim për ti a dalë mbanë. Një ndër to ka qenë debati për ngritjen e një skeme sa më sociale në përballimin e pagesave të energjisë për familjet e pamundura, të cilat janë të shumta në veri dhe verilindje të vendit. Unë mendoj dhe besoj fort se dimensioni kryesor i një deputeti është vëmendja dhe gjetja e një zgjidhjeje sa më të përshtatshme ndaj halleve dhe problemeve të komunitetit jo vetëm elektoratit që më ka dhënë mbështetjen. Deputeti është figurë politike po aq dhe komunitare.
Ashtu siç thamë, megjithëse keni pak kohë në politikën aktive, nuk mungojnë daljet tuaja të shpeshta në media me deklarata e komente për mënyrën e qeverisjes, ku çalon puna e kësaj qeverie?
Unë me profesion jam inxhiniere dhe prej shumë kohësh e shoh komunikimin dhe mediat si instrumentat kryesore të komunikimit dhe përcjelljes së mesazhit publik. I vlerësoj shumë mediat dhe angazhimin e tyre për të qenë shumë më pranë publikut, halleve, interesave të tij se sa politika. Mendoj se do të ishim shumë më mirë ekonomikisht dhe me një demokraci të shëndetshme nëse media do të ishte e pavarur, kritizere e fortë dhe shumë më tepër investiguese ndaj fajeve të qeverisë dhe gabimeve të politikës.
Përsa i përket qeverisë , une mendoj se qeveria nuk është vetëm problemi po është ngërci i mundësisë së zgjidhjes së çdo problemi. Qeveria është ideatorja hartuesja dhe zbatuesja e çdo krize, dhe superkorrupsioni që mbarset tek vetë politika, VKM-të dhe projektligjet që sjellin ministritë për diskutim e miratim në Parlament. Kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe krejtësisht anti-shtet. Kur kryeministri dhe ministrat nuk mendojnë për të ngritur politika dhe programe zhvillimi, por vetëm burim për pasurim, këtu ka degjeneruar dhe vetë koncepti i qeverisjes apo i shtetbërjes.
Kjo mazhorancë po mban peng zbatimin e ligjeve dhe kur janë të dobishme e të drejta, po mban peng institucionet dhe nëpunësit për të realizuar qëllimet e veta. Më thoni ku qendron shtetbërja apo funskioni i shtetit siç pretendon kryeministri në mbylljen e mbi 8 mijë bizneseve të vogla e të mesme që këta dy vite e gjysëm kanë sjelle afro 80 mijë frymë pa ushqim dhe trajtim njerëzor normal? Kemi mbi 10 mijë të larguar nga administrata e niveleve të ndryshme të pushteteve atij ekzekutiv, legjislativ, pushteti lokal etj. Ku qëndron shteti? Tek arrestimi i qindra njerzve të varfër apo vetëvrasja e mbi 20 burrave dhe grave kryesfamiljare vitin që kaloi për shkak të pamundësisë së përballjes së krizës së varfërisë, thelimit të dëshpërimit së mbylljes së cdo shprese?
Ju përfaqësoni Tropojën në parlament, dhe shpesh herë sillni shqetësime dhe probleme sociale që ajo zonë ka duke kritikuar qeverinë për mungesë vëmendje ndaj këtij qyteti. A nuk mendoni se situata e rëndës sociale në atë zonë nuk u krijua sot, por përgjegjësi ka edhe qeveria e djathtë, sepse për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe për atë vend?
E nisim nga qeverisja e 8 viteve të demokratëve. Patjetër që sot pas dy vite e gjysëm opozitë kuptojmë dhe bindemi edhe më qartë se problemet kanë qenë të shumta, mes të cilëve dhe distanca apo shpërfillja e komunikimit njerëzor që për mua është shumë i rëndësishëm në suksesin e politikës. Ajo çka nuk funskionoi ishin disa investime në nivele më mikro, veçanërisht në sektorin e tregjeve të agrobiznesit përshembull në zonën e Tropojës apo zhvillimit të turizmit malor. Po kështu duhet të kishim zbatuar politika më rajonale punësimi sipas tipareve dhe traditës së çdo treve dhe komuniteti.
Por më lejoni të ve në dukje si ish-drejtuese e një institucioni eksekutiv të qeverisë Berisha: simensioni human dhe kombëtar i këtij kryeministri, qasjes së qeverisjes sociale, besimit tek institucione të pavarura, llogaridhenies së ministrave tek kryeministri Berisha apo marëdhëniet serioze me parlamentin si dhe përgjegjshmëria e shumë nëpunësve nuk mund të gjejnë krahasim me këtë qeveri, me këto institucione të kapura. Mjafton t’i referohemi precedentit të përmbytjeve, kur mbeti në kujtesë vetëm show apo mungesave të pashpjegueshme që bëjnë ministrat në seancë kur diskturohen ligje dhe marrëveshje qënësore për zhvillimin e vendit.
Pra janë dy sisteme qeverisjeje si dy botëkuptime të ndryshme për vlerat dhe dashurinë për këtë vend. Ju jeni të vetëdijshëm se kjo qeveri prej mëse dy vitesh e ka braktisur me arrogancë dhe diskriminim veriun e vendit, duke e konsideruar si bastion të mbështetjes së të djathtëve dhe me epitete fyese. Dëshmi janë mungesa e fortë e investimeve në infrastrukturë, kanalizime, rrugë, bujqësi, turizëm apo dhe vendosja me aksione të përqndruara të gjobave dhe mbylljeve të biznesit të vogël. Nuk është e rastësishme që Shkodra përshembull kryeson mbylljen e biznenseve të vogla nga barra tatimore, apo po sërish në Veri kemi dhe numrin më të lartë të familjeve të varfëra në mjerim dhe terr energjitik që e kanë të pamundur të paguajnë tarifat afrofe dhe me kamata abusive të kësaj qeverie.
Ndër daljet tuaja të para në muajin janar kanë qenë të lidhura me sigurinë në vend. Ju akuzoni ministrin e Brendshëm për mungesë efiçense dhe keni kërkuar largimin e ministrit. Mendoni se me largimin tij rregullohet siguria në vend?
Çështja nuk lidhet vetëm me nominime personale. Ministri i Brendshëm është produkt i politikës dhe antireformave në Rend dhe Siguri, të mendësisë së kryeministrit dhe qeverisë që ai drejton. I vetmi sukses i Tahirit dhe Ramës në rend e siguri janë modeli i konferencave me standarte të larta teknologjike dhe propaganda për komisariatin dixhital kur shumë njerëz nuk u del të mbajnë dhe celularë në xhepa e jo më të denoncojnë përmes tyre. Koha e ministrit Tahiri do të hyjë në histori si etapa e tritolit dhe e vrasjeve me pagesë. Zoti Tahiri nuk ka dhënë asnjë argument, punë në terren dhe qëndrim të binshëm deri më tani se e meritonte këtë post.
E kundërta, pra largimi një orë e më parë i tij, por dhe i stafit të paaftë dhe drejtuesve të kapur nga krimi që ka mbledhur afër vetes, është zgjidhja e krizës në këtë fushë. Treguesit e rritjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës që zbulohen nga interpoli apo policitë e huaja, rënia e fortë e besimit publik veçanërisht për ngjarjet e rënda si vrasje e aksidente ende të pazbuluara edhe në muajin e parë të vitit, dëshmojë krejtësisht në disfavor të Tahirit. Megjithatë, keni një farë të drejtë në pyetjen tuaj. Tashmë është mëse e qartë se asgjë nuk rregullohet me largimin e një ministry dhe për këtë aksioni opozitar është zhvendosur përfundimisht në largimin e jo vetëm një ministri, por të krejt kësaj qeverie të zhytur në krim dhe korrupsion.
Sot jeni në opozitë, dje ishit në pushtet, a e keni pyetur ndonjëherë veten çfarë nuk bëtë si duhet, ku gaboi qeveria e djathtë dhe çfarë e penalizoi në qeverisjen e saj?
Në vija te pergjithshme unë e ceka këtë pyetje dhe më sipër. Nga analizat e treguesve mandatin e parë qeveria Berisha ka patur kulmin e investimeve publike, si pasojë e një elektroshoti reformash dhe paketa ligjore që i hapën rrugën investimeve të huaja dhe inisiativës private. U rrit punësimi dhe pati një liberalizim të jashtëzakonshëm të tregut. Taksa e sheshtë prej 10% borxhi i brendshëm ishin indikatorë të një stabiliteti më rritje. Dua të evidentoj dhe një fakt domethënës: raportin organik dhe me sinergji që krijonte qeveria Berisha me pushtetin lokal që drejtohej nga të majtët. Në mesin e mandatin e dytë ra pulsi i reformave, pati probleme me korrupsionin dhe me shpërfilljen ndaj problemeve të qytetarit. Ra cilësia e punës nga administrata e disa institucioneve dhe një impakt të rëndësishëm pati roli i LSI në qeverisje. Përfitimet e saj ishin të shumta ndërsa efikasiteti i punës linte shume për të dëshiruar.
Keni qeverisur për 4 vjet në koalicion me LSI, sot kjo forcë politike është në një tjetër koalicion dhe sërish në qeveri, por për habinë e të gjithëve nuk është në qendër të sulmeve politike, për keqqeverisje. PS akuzon të djathtën për dështim dhe si përgjegjëse për kolapsin ekonomik dhe social, kryesisht për ministritë që janë drejtuar nga LSI në kohën e PD, dhe ju akuzoni PS po për të njëjtën gjë, dhe duket se ajo që mban pozita të shëndosha ekonomike pa u cenuar është LSI?
PD ka qenë e qartë në akuzat e saj për keqqeverisje me bashkëautorsi PS- LSI dhe dyshes Rama-Meta. Ne kemi bërë publik rolin e Metës, nisjen e hetimeve për rolin e tij në skandalin OSHEE dhe CEZ dhe çështje të tjera. /tesheshi.com/