Të paktën, 12 refugjatë u mbytën në detin Egje kur dy barka të mbingarkuara u fundosën në rrugën e tyre drejt Greqisë.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet turke që thanë se refugjatët ishin rrugës për në Greqi pasi ishin nisur nga qyteti turistik turk Bodrum.
Sipas zyrtarëve, 11 trupa të pajetë u nxorrën nga uji në afërsi të anijes së parë, por vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pasi tre persona u nxorrën të gjallë ndërsa disa të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Gjithashtu, autoritetet turke nxorrën edhe trupin e një fëmije në afërsi të anijes së dytë, prej së cilës u shpëtuan 13 persona.
Përpos të qënit një destinacion turistik, Bodrumi është edhe një vendndodhje tërheqëse për refugjatët që përpiqen të arrijnë në ishullin Kos, që konsiderohet rruga më e shkurtër detare nga Azia në vendet e BE-së.
Në pesë muajt e parë të vitit 2015, mbi 42 mijë persona kanë mbërritur në rrugë detare në Greqi, sipas shifrave të agjencisë së refugjatëve të OKB-së. /tesheshi.com/