Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian miratuan në seancë plenare heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës do të mund të hyjnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kur do të fillojë të funksionojë sistemi elektronik që përdorin vendet e tjera që kanë marrëveshje pa viza me BE-në.
Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të hyjnë në Bashkimin Evropian pa vizë për një periudhë prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore, duke e sjellë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nën të njëjtin regjim vizash si BE-ja.
Pas miratimit në Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të nënshkruhet dhe të publikohet në gazetën zyrtare të BE-së.
Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt BE-së është propozuar nga Komisioni Evropian, bazuar në vlerësimin se Kosova ka arritur progres të dukshëm në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave.
Kushtet e plotësuara
Më 30 nëntor 2022, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord për mandatin e negociatave për regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, në bazë të të cilit filluan negociatat me Parlamentin Evropian.
Më 9 mars, në lexim të parë, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi qëndrimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës jo më vonë se 1 janari 2024 të vitit vijues.
Kosova ka pritur për një regjim pa viza me BE-në për një kohë të gjatë që kur Komisioni Evropian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova ka përmbushur dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave (ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe suksesin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit), dhe se në këtë mënyrë plotësonte të gjitha kriteret nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Megjithatë, çështja ishte bërë një lloj sage zvarritëse, e denoncuar më së shumti nga kryeministri Rama, i cili në çdo rast shpotiste Brukselin, pa asnjë kompleks, mbi sjelljen e padenje europiane ndaj Kosovës në rastin e mosliberalizimit të vizave./tesheshi.com/