Ftesa që presidenti Macron u ka bërë si Vuçiçit e si Thaçit për të qenë në Paris me 11 nëntor, e ka entuziazmuar këtë të fundit. Në një konferencë për shtyp, presidenti kosovar tha se ky është një rast i artë për të afirmuar shtetin e Kosovës para lidervë të botës që do jenë edhe ata prezent në kryeqytetin francez atë ditë, përfshirë Trump e Putin.
“Atje (në Paris) nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës. Pjesëmarrja edhe e presidentit të Serbisë është nën autoritetin e presidentit francez dhe jo të Kosovës. Ndoshta edhe Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është puna e tyre”, deklaroi Thaçi.
Të qënit e tij në Paris e vlerësoi dhe kryeministri Haradinaj, paçka kundërshtive në rastin e kufijve.
“…nëse presidenti Macron thërret presidentët e vendeve, është më mirë për vendin tonë që atje të jetë presidenti i Kosovës”, tha Haradinaj.
Më 11 nëntor në Paris, Macron mbledh liderët e botës në një ceremoni përkujtimore me rastin e fundit të Luftës së Parë Botërore. /tesheshi.com/