Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i është kthyer gjuhës së çadrës duke iu kundërvënë zërave ndërkombëtarë të cilët kërkojnë bashkëpunim pozitë – opozitë për çeljen e negociatave pas një viti. Më saktë bëhet fjalë për raportuesin për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, i cili e përcolli këtë mesazh gjatë një qëndrimi të hënën në Tiranë, e po ashtu dhe ambasadorja Vllahutin.
Basha nuk ka ngurruar ta quajë diplomatin gjerman të Brukselit si një “donkishot”, duke e gjykuar pra kërkesën e tij si të tillë.
“Më vjen shumë keq që edhe sot ka pasur një investim donkishotesk edhe nga nga ndonjë i huaj që flet për çdo gjë përveçse për problemin. Problemi këtu nuk është komunikimi opozitë-qeveri, nuk është përballja opozitë-qeveri, problemi është lidhja e qeverisë me krimin, problemi është kapja e drejtësisë nga qeveria, problemi është ekonomia. Të tjerat janë për t’u hedhur hi syve, për të bërë alibitë e Edi Ramës”, tha Basha gjatë një bashkëbisedimi me të rinj.
Edhe gjatë muajve të çadrës, Basha dhe Flackenstein patën komunikime të tensionuara. /tesheshi.com/