Menaxhimi i zgjedhjeve të 25 qershorit është realisht në rrezik nëse komisionerët e partive politike nuk do të marrin pjesë në trajnimet që kryen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisionerët e përzgjedhur druhen të marrin pjesë në trajnime në orarin zyrtar të punës pasi kanë frikë se do ta humbasin atë, pra punën në shtet.
Shkak janë bërë urdhërat e ministrave të rinj teknikë, të cilët kanë nisur një fushatë represioni në administratën publike duke shkarkuar nga puna këdo që merr pjesë në fushatën e partive gjatë orarit zyrtar.
KQZ ka bërë apel që komisionerët të trajnohen se ndryshe vihet në dyshim standardi i zgjedhjeve.
Klement Zguri, kryetar i KQZ-së pranon faktin që komisionerët kanë pasiguri për punën që bëjnë. Por ai shton se kjo situatë duhet të zgjidhet për të mirën e procesit zgjedhor. /tesheshi.com/