Ish-kryeministri ka fituar betejën në zgjedhjet paraprake mes konservatorëve, duke fituar të drejtën për të qenë kandidati i tyre në zgjedhjet presidenciale të 2017-s.
Francois Fillon siguroi thuajse 67 për qind të votave në balotazhin e së dielës me rivalin e tij, dhe ai një ish-kryeministër, Alain Juppe.
“Votuesit e kanë kuptuar strategjinë time,” deklaroi 62-vjeçari pas fitimit të kandidaturës. “Franca nuk mund ta durojë rënien e saj. Ajo do vërtetësi, do veprim.”
“Kam për ta pranuar këtë sfidë për Francën: të them të vërtetën dhe të ndryshoj plotësisht programin e saj,” ka nënvizuar Fillon.
“E majta nënkupton dështim, e djathta ekstreme nënkupton falimentim.” Fillon u zotua të jetë kandidat i atyre që në zemër ndjehen krenarë se janë francezë.
Alain Juppe e pranoi humbjen, e uroi kundërshtarin për fitoren, si dhe premtoi se do ta mbështesë atë në synimin për t’u bërë president i Francës.
Juppe mblodhi pak më tepër se 33 për qind të votave në parapraket e djeshme të të djathtëve francezë. /tesheshi.com/