Nga Kazim Alam, TRT World
Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike Romake që prej vitit 2013, i cili ka mbrojtur vazhdimisht të drejtat e palestinezëve, ndërroi jetë të hënën, siç njoftoi Kardinali Kevin Ferrell, kamerlengu i Vatikanit. Ai ishte 88 vjeç.
“Në orën 7:35 të kësaj dite, Peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij i kushtohej shërbimit të Zotit dhe të Kishës së tij,” thuhej në njoftim.
Si udhëheqës shpirtëror i afro 1.4 miliardë katolikëve romakë, që përbëjnë grupin më të madhe të tri degëve kryesore të Krishterimit, Françesku fitoi zemrat e muslimanëve anembanë botës për thirrjet e tij të vazhdueshme për armëpushim gjatë luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, e cila, mes tetorit 2023 dhe prillit 2025, ka marrë jetën e mbi 51,200 njerëzve, kryesisht gra dhe fëmijë.
“Ai ishte tepër i zëshëm dhe i palëkundur në kërkesën e tij për armëpushim, për t’i dhënë fund dhunës dhe për dërgimin e ndihmave të konsiderueshme humanitare në Gaza. Ai vazhdoi të mbante qëndrimin se palestinezët kanë të drejtë për barazi dhe vetëvendosje,” shprehet Dr. Jordan Denari Duffner, një eksperte amerikane e studimeve fetare, autore librash mbi dialogun katoliko-musliman, Islamofobinë dhe diskriminimin anti-musliman.
“Papa ishte një zë vërtet i rëndësishëm moral, duke u kujtuar katolikëve, në veçanti, atë që besimi ynë na mëson për të kërkuar drejtësi dhe paqe,” tha ajo për TRT World.
Vatikani e ka mbështetur zgjidhjen me dy shtete shumë kohë përpara se Françesku të merrte drejtimin e “Selisë së Shenjtë”. Për shembull, Papa Gjon Pali II, i cili drejtoi Kishën Katolike Romake nga viti 1978 deri në 2005, nuk ngurronte aspak të shprehte simpatinë e tij për kauzën palestineze.
Kisha Katolike Romake e njohu zyrtarisht Shtetin e Palestinës sipas kufijve të tij para vitit 1967 në shkurt të vitit 2013 – një veprim ky që “zhgënjeu” ministrinë e jashtme izraelite.
Duffner, e cila aktualisht po shkruan një libër mbi Papa Françeskun dhe Islamin, thotë se Papa i ndjerë udhëhiqej nga bindja se palestinezët po përjetonin padrejtësi dhe meritonin barazi me fqinjët e tyre izraelitë.
Zakonisht, papët janë të kujdesshëm në mbajtjen e anëve në konfliktet globale, por Françesku nuk u tërhoq asnjëherë kur bëhej fjalë për të shprehur qëndrimin e tij mbi bombardimet pa dallim të Gazës nga Izraeli për 16 muaj.
Ai shpeshherë shprehte dhimbjen e tij duke menduar për Gazën, “me aq mizori, për vrasje e fëmijëve me armë të rënda, për bombardimin e shkollave dhe spitaleve… Sa mizori!”
Në ditët e para të luftës gjenocidale të Izraelit, Françesku bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. “Ju lutem, ndaloni sulmet dhe armët,” tha ai, duke shtuar se lufta sjell vetëm “vdekje dhe vuajtje të njerëzve të pafajshëm”.
“Lufta është gjithmonë një humbje! Çdo luftë është një humbje!”
Kur një sulm ajror izraelit goditi Kishën Ortodokse Greke të Shën Porfirit në Gaza më 19 tetor 2023, duke vrarë të paktën 18 civilë palestinezë që kishin gjetur strehim atje, Françesku kërkoi që Izraeli t’i jepte fund sa më shpejt kësaj lufte.
“Po mendoj për situatën e rëndë humanitare në Gaza… Përsëris thirrjen time për hapjen e korridoreve, për vazhdimin e mbërritjes së ndihmave humanitare…”
Ndërsa Izraeli lëshonte pa pushim raketa mbi Gazën, Papa Françesku mori vendimin të vendoste komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin e rrethuar të krishterë në Gaza. Ai telefononte çdo natë Kishën e Familjes së Shenjtë, e vetmja kishë katolike në Gaza, për të ofruar lutje dhe fjalë inkurajuese për të krishterët dhe muslimanët që strehoheshin brenda mureve të saj.
At Gabriel Romanelli, famullitari i Gazës, tha se komuniteti i rrethuar merrte forcë nga mbështetja e palëkundur e Papës në mes të mungesës së ujit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore.
Famullia strehonte rreth 500 njerëz, përfshirë tre priftërinj, pesë murgesha dhe 58 persona me aftësi të kufizuara. Shumica e njerëzve që kërkuan strehim në famulli ishin muslimanë dhe fëmijë në nevojë për kujdes të veçantë.
Duffner thotë se Françesku mbante kontakte të vazhdueshme me priftin dhe besimtarët e Gazës përmes telefonatave të përditshme, “madje edhe nga shtrati i tij i spitalit”.
“Doktrina katolike është shumë e qartë se sa herë që njerëz të pafajshëm janë në shënjestër, kur ushqimi ndalohet, kur nuk ka strehim të mjaftueshëm, kur shkatërrohen strukturat mjekësore, ne kemi përgjegjësinë të ngremë zërin me forcë në mbrojtje të atyre që vuajnë,” shpjegon ajo.
“Mendoj se Papa Françesku e mishëroi vërtet këtë në mënyrën si iu përgjigj situatës në Gaza dhe më pas padrejtësive më të gjera që shohim në Izrael dhe Palestinë,” shton ajo.
A kishte Françesku një mbështetje të pazakontë për Palestinën?
Papa u takua gjithashtu me të afërmit e palestinezëve të vrarë nga Izraeli në Gaza. “Kjo nuk është më luftë, kjo është terrorizëm,” vërejti Papa pas takimit.
Shireen Halil, një grua palestineze dhe e krishterë nga Betlehemi, e cila ishte pjesë e grupit që vizitoi Papën, i tha shtypit se ajo dhe të tjerët u ndien “të mahnitur” nga niveli i informacionit që Papa Françesku kishte për luftën në Gaza.
Duffner thotë se ka pasur “një vijimësi” ndërmjet Françeskut (2013-2025) dhe paraardhësve të tij të mëparshëm– Papa Benedikti XVI (2005-2013), Papa Gjon Pali II (1978-2005) dhe Papa Pali VI (1963-1978) – në lidhje me çështjen e Palestinës.
“Që nga vitet 1940, Vatikani ka mbajtur qëndrimin se palestinezët meritojnë vetëvendosje dhe shtetin e tyre. Mendoj se kjo është një linjë që përshkon jo vetëm pontifikatin e Françeskut, por edhe atë të paraardhësve të tij,” shpjegon ajo.
Megjithatë, Françesku dallohet për angazhimin e tij të zëshëm në mbështetje të palestinezëve, kryesisht sepse ai jetoi gjatë luftës së Izraelit, e cila shkaktoi një “nivel të paprecedentë dhune” në Gaza.
“Në disa aspekte, retorika e Françeskut ka qenë e detyruar të jetë më e drejtpërdrejtë dhe më e fuqishme se ajo e paraardhësve të tij, thjesht për shkak të situatës në të cilën ndodhemi.” /Tesheshi.com/