Pas një përpjekjeje të gjatë, pas bisedimeve të vazhdueshme të ndërmjetësuesve të OKB-së, në një ceremoni në Marok është nënshkruar marrëveshja mes dy fraksioneve rivale libiane për të formuar një qeveri uniteti.
Nën një entuziazëm të treguar hapur, përfaqësuesit e dy parlamenteve e nënshkruan marrëveshjen në Skhirat, në jug të Rabatit, kryeqytetit të Marokut.
“Dyert mbeten të hapura për ata që nuk janë sot këtu,” u shpreh në ceremoni i dërguari i OKB-së, Martin Kobler.
Sipas marrëveshjes, një këshill presidencial prej nëntë anëtarësh ka për të formuar një qeveri të re, e po ashtu do t’u jepet fund luftimeve mes mbështetësve të dy parlamenteve rivale.
Por kritikët e shohin me skepticizëm zbatimin e marrëveshjes, sidomos kur vjen puna për zgjedhjen e përfaqësuesve në qeveri, si dhe për mënyrën si do reagojnë palët e armatosura në terren.
Katër vite pas rrëzimit të Muammed Gadafit, Libia është e ndarë mes dy fraksioneve e qeverive rivale, një në Tripoli, Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar, dhe një në lindje të vendit, Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk, të njohur ndërkombëtarisht . Shpresohet se kjo marrëveshje do t’i japë fund rrëmujës në vend, e po ashtu do të ndihmojë në një kontroll më të mirë të territorit. /tesheshi.com/