Nga Donat Maloku
Shoqëria kosovare ka nevojë më shumë se kurrë për të përjetuar praktikisht një demokratizim të partive politike, sepse në Republikën e Kosovës jo vetëm se janë ngulfatur partitë politike, por edhe institucionet qendrore të shtetit të Kosovës, meqë kudo po dominon elementi i amatorizmit dhe mosprofesionalizmi.
Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se partitë politike në Kosovë janë larg demokratizimit të tyre, edhe pse janë trajnuar nga shtetet mike. Ata thonë se demokratizimi i partive nuk mund të ndodh me figura të konsumuara të cilat kanë dështuar në zgjedhje, por njerëz të rinj dhe të pakonsumuar.
Dren Ajeti, ish-praktikant i Bundestagut gjerman dhe bashkë-themelues i OJQ “Forumi parlamentar ndërkombëtar – IPF (International Parliamentary Forum) me seli në Berlin, në një prononcim për portalin “Te Sheshi”, thotë se për të vlerësuar një parti demokratike do të duhej të studiohen dy gjëra: zgjedhjet brenda partiake dhe marrja e vendimeve. “Zgjedhjet brenda-partiake dhe votimi i kryetarëve të tyre me mbi 90 % të votive të bën të dyshosh për zgjedhje demokratike, sepse aty ku nuk ka kundër-kandidat nuk ka garë dhe aty ku nuk ka garë nuk ka demokraci. Propozimi i një-pas-njëshëm i vetëm një kandidati, ani pse humb zgjedhje apo është harxhuar si figurë lideri, jep të kuptohet se qëllimi nuk është organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira partiake, por vetëm legjitimimi i kryetarëve përmes votës – e kjo është gjithcka, pos demokratike”, thotë Ajeti. Më tej ai shton se reforma nuk bëhet me njerëz të njëjtë, pasi për të bërë reforma nevoitën figura të reja, të pakonsumuara dhe me vullnet. “Qëndrimi i gjatë në krye të partisë është e dëmshme për demokracinë partiake dhe rrjedhimisht për demokracinë e shtetit. Andaj, duke e ditur se çfarë u paraprinë zgjedhjeve të kryetarëve të partive, preferohet që ata të largohen vetvetiu pas një periudhe kohore në krye të partisë dhe rrugën t`ua lënë të tjerëve, duke qëndruar neutral ndaj kandidatëve. Më e mira do të ishte që partite të kufizonin me statut kohën e qëndrimit në krye të partisë. Sidomos shoqëria jonë që është në ndërtim e sipër si një shoqëri demokratike, ka nevojë për mekanizma të tillë kufizues”, ka deklaruar Ajeti.
Analisti politik Nexhmedin Spahiu, mendon se duhet të nxjerret një ligj i cili përcakton zgjedhjen me votë të fshehtë me më së paku dy kandidatë për çdo nivel të organizimit të partive politike ku gjatë procesit zgjedhor në të gjitha nivelet do të ketë monitorime jashtë partiake që do të raportojne për zgjedhjet në secilën hallkë. “Në rast se ndonjë parti nuk u përgjigjet këtyre kërkesave atëherë duhet t’i pamundë pjesëmarrja në zgjedhje”, ka deklaruar Spajiu për portalin “Te Sheshi”.
Analisti tjetër, Blerim Burjani thotë se partitë politike në Kosovë janë larg demokratizimit të tyre , përkundër shumë përpjekjeve të shteteve mike të Kosovës duke organizuar trajnime për këto parti, vizita studimore, duke iu ofruar edhe programe të ndryshmelidershipi prap gjendja mbeti e njëjtë. “Përshtypja ime është se këto subjekte politike nuk e kanë pas interes të tyre asnjëherë demokratizimin e tyre, zhvillimin e demokracisë partiake dhe qytetare. Realisht në thelb të interesit të tyre mbeten vetëm dy çështje, mbetja e lider i subjektit, kontrolli i institucioneve qeverisëse dhe institucioneve të shtetit dhe privilegjet dhe korrupsioni. Liderët tash e sa vjet mbeten të njëjtë, të pandryshueshëm duke u zgjedhur me aklamacion nga frika se mund të mos i merr votat në mënyrë të fshehtë. Lakmia dhe privilegjet kanë bërë që Kosova të mbetet vetëm shtet i partive politike dhe asnjëherë prezantim i interesave të qytetarëve”, ka deklaruar Burjani.
Në një debat që u organizua nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore – KIPRED, me temën “Subjektet Politike në Kosovë: Demokracia e brendshme, sistemi politik, dhe fushata zgjedhore”, – përfaqësuesit e partive politike thanë se nuk mund të mburren me shkallën e demokracisë përbrenda partive politike.
Jakup Krasniqi nga partia Nisma për Kosovën ka deklaruar se nuk ka demokraci të brendshme aty ku mungon debati shterues, aty ku mungon ballafaqimi i ideve të kundërta, i pikëpamjeve të ndryshme, aty ku mendimi i kundërt është sakrilegj, aty ku nuk ekzistojnë procedura të qarta vendimmarrëse, nuk mund të flitet për gjithçka tjetër, vetëm jo demokraci të brendshme.
Ndryshe, në debatin e organizuar nga KIPRED, sa i përket Kosovës, sërish ka dalë si përfundim se niveli i demokracisë së brendshme tek partitë politike është jo i kënaqshëm. /tesheshi.com/