Shpikësi dhe fizikanti Nikola Tesla ishte i betuar pas stërvitjes së gishtave të këmbëve – çdo natë, ai do të “pllaquriste” gishtat e këmbës, 100 herë për secilën këmbë, sipas biografit Marc J Seifer.
Ndërsa nuk është tërësisht e qartë se për çfarë shërbente kjo stërvitje, Tesla pretendonte se e ndihmonte të stimulonte qelizat e trurit.
Matematicieni më pjellor i shekullit të 20-të, Paul Erdos, preferonte një lloj tjetër stimulanti: amfitaminën, të cilën e përdorte për të furnizuar ditët 20 orëshe. Kur një mik vuri bast me të se ai nuk mund të ndalonte për një muaj së përdoruri, ai fitoi por u ankua: “E ke lënë pas matematikën për një muaj”.
Njutoni, ndërkaq, lëvdonte përfitimet e beqarisë. Kur ai ndërroi jetë në vitin 1727, ai kishte transformuar kuptimshmërinë tonë për botën natyrore përgjithmonë dhe la pas 10 milionë fjalë shënime; ai ishte gjithashtu, sipas të gjitha rrëfimeve, ende i virgjër (Tesla, po ashtu ishte beqar, edhe pse më vonë ai pretendoi se ra në dashuri me një pëllumb).
Na pëlqen ose jo, zakonet tona të përditshmërisë kanë një ndikim të fuqishëm në trurin tonë.
Shumë prej mendjeve shkencore më të shkëlqyera të botës ishin po ashtu të çuditshëm fantastikë. Nga ndalimi zemërak i Pitagorës për fasulet deri tek “banjat e ajrit” lakuriqe të Benjamin Franklin, rruga drejt madhështisë është e shtruar me disa zakone vërtet të pazakonshme.
Por, a janë këto më shumë sesa fakte sipërfaqësore? Shkencëtarët kanë gjithnjë e më shumë prirjen të besojnë se inteligjenca ka të bëjë më pak me fatin gjenetik sesa ne priremi të mendojmë. Sipas një rishikimi të fundit të provave, rreth 40 për qind e asaj që dallon “njerëzit me tru” nga ata që nuk mendojnë edhe aq shumë në moshë të rritur, ka të bëjë me mjedisin. Pëlqejeni ose jo, zakonet tona të përditshme kanë ndikim të fuqishëm, duke formësuar strukturën e trurit dhe duke ndryshuar mënyrën sesi ne mendojmë.
Nga të gjitha mendjet e mëdha në histori, me gjasa mjeshtri që kombinonte gjeninë me zakonet e çuditshme ishte Albert Ajnshtajni – kështu që kë person tjetër duhet të studiojmë përveç tij për të mësuar më shumë për sjelljet stimuluese? Ai na mësoi sesi nxirret energji nga atomet, ose ndoshta, thjesht ndoshta, ai mund të ishte në gjendje të na mësonte edhe nja dy gjëra sesi të nxjerrim më shumë nga mendjet tona të vdekshme. A do të kishte ndonjë përfitim nëse ndiqen zakonet e dietës, të gjumit e madje edhe zgjedhjet në të veshur të Albert Ajnshtajnit?
10 orë gjumë dhe dremitje një-sekondëshe
Dihet nga të gjithë, pothuajse, se gjumi është i mirë për trurin – dhe Ajnshtajni e kishte marrë këtë këshillë më seriozisht se të gjithë. Ai raportohet se flinte për të paktën 10 orë në ditë – gati një herë e gjysmë më shumë sesa mesatarja e sotme prej 6.8 orësh. Por a është kjo rruga e duhur për një mendje më të mprehtë?
Autori Xhon Stajnbek thoshte dikur: “Eshtë një përvojë e zakonshme që një problem i vështirë gjatë natës zgjidhet në mëngjes pasi gjumi i rehatshëm ka vepruar mbi të”.
Shumë nga arritjet më radikale në historinë njerëzore, përfshirë edhe tabelën periodike, strukturën e ADN-së dhe teorinë e Ajnshtajnit për relativitetin, me gjasa kanë ndodhur kur shpikësit kanë qenë të pandërgjegjshëm. E fundit mbërriti në mendjen e Ajnshtajnit kur ai po shikonte në ëndërr lopët që trajtoheshin me elektricitet. Por a është vërtet kështu?
Më herët, gjatë vitit 2004, shkencëtarët në universitetin e Lubekut, në Gjermani, testuan idenë me një eksperiment të thjeshtë. Së pari, ata trajnuan vullnetarët për të luajtur disa lojëra. Më të mirët i kapën rregullat e lojës më shpejt. Kur studentët u testuan për rregullat tetë orë më vonë, ata që ishin lejuar të flinin, ishin dy herë më të mirë në gjetjen e rregullës së fshehur të lojës sesa ata që kishin qëndruar zgjuar.
Aktiviteti-furkë i gjumit na bën më të zgjuar
Kur ne biem në gjumë, truri hyn një seri ciklesh. Çdo 90-120 minuta, truri ndryshon midis gjumit të lehtë, atij të thellë dhe një faze të shoqëruar me ëndërra, të njohur si lëvizja e shpejtë e syve (REM), që deri së fundmi, ishte menduar se luante një rol kryesor në të mësuarit dhe kujtesën. Por kjo nuk është e tëra. “Gjumi jo-REM ka qenë pak i mistershëm, por ne e kalojmë 60 për qind të natës sonë në këtë lloj gjumi”, thotë neuroshkencëtari Stuart Fogel.
Gjumi jo-REM karakterizohet nga shpërthime aktiviteti të shpejtë mendor, të ashtuquajturat “ngjarje furkë” për shkak të lëvizjeve zigzag prej furke që kanë valët e regjistruara. Në gjumin normal të një nate, përfshihen me mijëra aktivitete të tilla, secila zgjat jo më shumë se disa sekonda. “Kjo është porta e vërtetë drejt fazave të tjera të gjumit – sa më shumë flini, aq më shumë aktivitete të tilla do të keni”, thotë Fogel.
Në mënyrë interesante, ata që kanë më shumë nga këto aktivitete të trurit, priren të kenë më shumë “inteligjencë fluide” –aftësinë për të zgjidhur probleme të reja, për të përdorur logjikën në situata të reja dhe për të identifikuara gjurmë – të llojit të Ajnshtajnit.
E gjitha kjo lidhet mirë me përçmimin e Ajntshtajnit për arsimimin formal dhe me këshillën e tij që “kurrë mos memorizoni gjëra që mund t’i ktheheni t’i lexoni”.
Edhe pse sa më shumë të flini gjumë, do të keni më shumë aktivitet-furkë, kjo nuk provon domosdoshmërisht se gjumi ka përfitime. Është si fabula e pulës me vezën: a ka më shumë aktivitet-furkë tek njerëzit e zgjuar, apo njerëzit bëhen më të zgjuar për shkak të më shumë aktiviteti të tillë në gjumë.
Juria ende nuk ka vendosur por eksperimentet thonë se gjumi i mirë i natës tek gratë dhe dremitja tek burrat mund të përmirësojnë mënyrën e arsyetimit dhe aftësitë në zgjidhjen e problemeve.
Fatmirësisht për Ajnshtajnin, ai dremiste rregullisht. Sipas një legjende, që të sigurohej për të mos fjetur shumë gjatë dremitjes, ai shtrihej në kolltuk me një lugë në dorë dhe një pjatë metalike poshtë saj në dysheme. Ai e lejonte veten të dremiste pak dhe më pas –bam- luga do binte nga dora dhe do godiste pjatën dhe zhurma do ta zgjonte.
Shëtitjet e përditshme
Shëtitja e përditshme ishte e shenjtë për Ajnshtajnin. Kur ai punonte në universitetin Princeton, Nju Xhersi, ai ecte një milje e gjysmë dhe kthehej pas, duke ndjekur hapat që kishin lënë të tjerët në këtë drejtim, përfshirë edhe Darvinin që shëtiste tre herë nga 45 minuta çdo ditë.
Këto shëtitje nuk ishin thjesht për formë të mirë fizike – ka prova pa fund se shëtitja mund të nxisë kujtesën, krijueshmërinë dhe aftësinë e zgjidhjes së problemeve. Për krijueshmërinë të paktën, të shëtisësh jashtë dyerve është madje edhe më mirë. Po përse?
Kur e mendon, nuk ka edhe aq kuptim. Të ecësh e largon trurin nga detyra më të qënësishme, dhe e detyron të përqendrohet në hedhjen e këmbëve dhe në kujdesin për të mos u rrëzuar.
Por shkencëtarët shpjegojnë se ecja sjell ulje të aktivitetit të trurit përkohësisht, kryesisht në lobet frontale që janë të përfshira në procese të rëndësishme si kujtesa, gjykimi apo gjuha.
Duke ulur aktivitetin, truri përshtat një stil tërësisht të ri të menduari – që mund të sjellë thellime që nuk i arrin dot përpara tryezës së punës. Nuk ka prova për këtë shpjegim të përfitimeve nga shëtitjet, por është një ide interesante.
Të hash makarona
Po çfarë hanë gjenitë? Përndryshe pyetja mund të shtrohet se nuk është e qartë se çfarë nxiti mendjen e jashtëzakonshme të Ajnshtajnit, edhe pse ka nga ata që pretendojnë në mënyrë të dyshimtë, se ky ushqim ishin makaronat. Ai dikur bëri shaka se gjërat e preferuara të tij nga Italia ishin “makaronat dhe matematikani Levi-Civita”, kështu që le ta pranojmë legjendën.
Edhe pse karbohidratet kanë reputacion të keq, Ajnshtajni ishte pro tyre. Është i mirënjohur fakti që truri konsumon 20 për qind të energjisë trupore, edhe pse llogaritet vetëm me 2 për qind të peshës. (Në rastin e Ajnshtajnit, edhe më pak, pasi truri i tij peshonte 1,230 gramë, krahasuar me mesataren prej rreth 1,400 gramë). Ashtu si edhe pjesa tjetër e trupit, edhe truri preferon sheqerna të thjeshta, si glukoza, që mund të merren me karbohidrate. Neuronet kërkojnë furnizim të pandërprerë dhe do të pranojnë burime të tjera vetëm kur janë të dëshpëruara. Dhe këtu qëndron problemi.
Pavarësisht se ushqehet me të ëmbla, truri nuk ka mënyrë për të dapozituar energjinë, kështu që kur bien nivelet e glukozës në gjak, i mbaron shpejt furnizimi.
Sheqernat mund t’i japin trurit goxha nxitje, por për fat të keq kjo nuk do të thotë se të hash makarona është një ide e mirë, gjithë kohën. “Zakonisht, 25 gramë karbohidrate mund të jenë me përfitime, por dyfishoje sasinë dhe mund të dëmtosh, madje, aftësinë për të menduar”, thonë shkencëtarët.
Të tymosësh llullën
Sot, rreziqet më të mëdha për shëndetin lidhen gjerësisht me duhanpirjen, kështu që kjo është një këshillë jo e mirë për t’u ndjekur. Por, Ajnshtajni ishte një duhanpirës i rregullt, i njohur nëpër kampusin universitar për tymin e duhanit që e ndiqte nga pas, po aq sa edhe për teoritë e tij. Ai ishte i famshëm për dashurinë për tymosjen, që besonte se “kontribuonte në një farë gjykimi të qetë dhe objektiv në të gjitha çështjet njerëzore”. Ai madje, merrte bishtat e cigareve nga rruga dhe e fuste duhanin e mbetur në to, tek llulla e tij.
Jo dhe aq sjellja e një gjeniu, por në mbrojtje të tij mund të thuhet se, edhe pse provat po shtoheshin që prej viteve 1940, duhani nuk lidhej ende me kancerin e mushkërive dhe me sëmundje të tjera e kjo zgjati deri në vitin 1962 – shtatë vjet pas vdekjes së Ajnshtajnit.
Sot, rreziqet nuk janë sekret- duhanpirja ndalon formimin e qelizave të trurit, hollon korteksin cerebral dhe ul sasinë e oksigjenit në tru. Është e ndershme të themi se Ajnshtajni ishte i zgjuar pavarësisht këtij zakoni – dhe jo për shkak të tij.
Por, ka një mister final. Një analizë e 20 mijë adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara, të cilët u ndoqën për të vëzhguar zakonet e tyre për 15 vjet, gjeti se pavarësisht moshës, etnisë apo arsimimit, fëmijët më inteligjentë pinin më shumë cigare, e më rregullisht, sesa pjesa tjetër. Shkencëtarët ende nuk e dinë përse ndodh kjo, edhe pse në mënyrë misterioze përfundimet nuk janë të njëjta kudo – në Britani, duhanpirësit kanë IQ më të ulët
Mos vishni çorape
Listat e veprimeve të çuditshme të Ajnshtajnit nuk do të ishin të plota pa përmendjen e kundërshtisë së tij të pasionuar ndaj çorapeve. “Kur isha i ri”, shkroi ai në një letër drejtuar kushëririt të tij, -dhe më pas edhe gruas, Elsa- “zbulova se gishti i madh gjithnjë përfundon duke bërë një vrimë në çorape. Kështu që ndalova së veshuri çorape”. Më pas në kohë, kur ai nuk gjente dot sandalet e tij, përfundonte duke veshur pantoflat e Elsës.
Duket se këtu nuk ka ç’të thuhet pasi nuk ka asnjë studim që shqyrton direkt sesi ndikon mosmbajtja e çorapeve apo një veshje sportive në performancën mendore apo në të menduarit abstrakt.
Ajo që mbetet më e mira është të përfundohet shqyrtimi me një këshillë nga vetë burri i madh. “Gjë e rëndësishme është të mos ndalesh së vëni në dyshim: kurioziteti ka arsyen e vet pse ekziston”, tha ai për revistën “Life” në vitin 1955.
Në rast se nuk e praktikoni këtë këshillë, mund të provoni atë me gishtat e këmbëve. Kush e di, mund të funksionojë. Dhe a nuk është interesante?
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/