Një herë në disa vjet, ideja e një ushtrie europiane gjen rrugën për të dalë në lajme, duke krijuar një debat të nxehtë. Koncepti është si fantazi ashtu edhe gogol: për çdo federalist në Bruksel që mendon se një trupë e përbashkët mbrojtëse është ajo për të cilën ka nevojë Europa që të rrisë pozicionin në botë, ka nga një në Londër apo gjetkë që zmbrapsen nga nocioni i një rivaleje të mundshme të NATO-s.
Por, këtë vit, larg dhe heshtaz nga lajmet e ditës, Gjermania dhe dy aleatë të saj europianë, Republika Çeke dhe Rumania, pa zhurmë ndërmorrën një hap radikal drejt që rruge që duket si një ushtri europiane, ndërsa shmangën rrëmujën politike me te cilën shoqërohet ideja: ato njoftuan integrimin e forcave të tyre të armatosura.
Nuk është se gjithë ushtria rumune do të bashkohet me Bundeswehr-in, apo se forcat e armatosura çeke do të shndërrohen në një njësi të thjeshtë gjermane. Por, në pak muajt e ardhshëm, secili vend do të integrojë një brigadë në forcat e armatosura gjermane: Brigada e 81-të e mekanizuar e Rumanisë do të bashkohet me divizionin e përgjigjes së shpejtë të Bundeswehr-it gjerman, ndërsa brigada e 4-të e vendosjes së shpejtë që ka shërbyer në Afganistan dhe në Kosovë dhe që konsiderohet forca shigjetë e ushtrisë çeke, do të bëhet pjesë e divizioni të 10-të të blinduar gjerman.
Në këto veprime, ato do të ndjekin gjurmët e dy brigadave hollandeze, njëra prej të cilave tashmë është bashkuar me divizionin e përgjigjes së shpejtë të Gjermanisë dhe tjetri është integruar në divizionin e parë të blinduar të Bundeswehr-it. Sipas Carlo Masala, profesor i politikave ndërkombëtare në universitetin Bundeswehr në Mynih, “qeveria gjermane po tregon se ka vullnetin për të proceduar me integrimin ushtarak europian” – madje, edhe nëse të tjerët në kontinent ende nuk janë gati.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në mënyrë të përsëritur e ka hedhur idenë e një ushtrie të BE-së, vetëm sa për të ndeshur heshtjen ose tallëse ose të sikletshme të të tjerëve. Kjo është situata madje, edhe ndërsa Britania e Madhe, një kundërshtare e vendosur e idesë, ndodhet rrugës për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Ka pak dakordësi midis shteteve anëtare të mbetura mbi atë sesi duhet të duket saktësisht një forcë e tillë dhe nga cilat aftësi duhet të heqin dorë forcat e armatosura kombëtare si rezultat i krijimit të saj. Në këtë mënyrë, progresi ka qenë mjaft i ngadaltë.
Këtë mars, Bashkimi Europian krijoi një seli qendrore ushtarake të përbashkët – por kjo seli ka në ngarkim vetëm misionet e trajnimit në Somali, Mali dhe në Republikën Qendore Afrikane dhe ka vetëm një staf të vogël prej 30 personash. Koncepte të tjera shumëkombëshe janë dizenjuar ndërkohë, të tillë si grupi Nordik i Betejave, një forcë e vogël prej 2400 trupash e përgjigjes së shpejtë formuar nga shtetet balltike dhe disa vende nordike dhe Hollanda. Trupë tjetër është Forca e përbashkët e ekspeditave, drejtuar nga Britania, një “mini-NATO” ku përfshihen edhe shtetet balltike, Suedia dhe Finlanda. Por, në mungesë të mundësive të përshtatshme të dislokimit, ekipe të tilla me bazë operacionale mund fare mirë të mos jenë ekzistente.
Por, nën etiketën e “Konceptit kornizë të kombeve”, Gjermania ka qenë e zënë duke punuar për diçka shumë më ambicioze – krijimin e asaj që në thelb është një rrjet i drejtuar nga Bundeswehr i mini-ushtrive europiane. “Nisma erdhi për shkak të dobësisë së Bundeswehr,” thotë Justyna Gotkowska, analiste e sigurisë për veriun e Europës në qendrën polake për Studime Lindore. “Gjermanët kuptuan se Bundeswehr kishte nevojë të mbushte boshllëqet në forcat e veta tokësore… në mënyrë që të fitonte ndikim politik dhe ushtarak brenda NATO-s”.
Mbështetja e partnerëve të vegjël mund të jetë prova më e mirë për Gjermaninë në rritjen e shpejtë ushtarake – dhe mini-ushtritë europiane të drejtuara nga Gjermania mund të jenë opcioni më realist, në mos më serioz, për sigurinë e përbashkët. “Eshtë një përpjekje për të parandaluar dështimin e plotë të sigurisë europiane”, thotë Masala.
“Boshllëqet” në Bundeswehr janë një nënvlerësim. Në vitin 1989, qeveria e Gjermanisë Perëndimore shpenzoi 2.7 për qind të prodhimit të brendshëm për Mbrojtjen, por deri në vitin 2000, shpenzimet kanë rënë në 1.4 për qind, një nivel ku kanë mbetur prej vitesh.
Në një raport të vitit 2014 në Bundestag, parlamentin gjerman, inspektori i përgjithshëm i Bundesëehr paraqiti një panoramë të tmerrshme: pjesa më e madhe e helikopterëve Navy nuk funksiononin dhe nga 64 helikopterët e ushtrisë, vetëm 18 mund të përdoreshin. Dhe ndërsa Bundesëehr i Luftës së Ftohtë përbëhej nga 370,000 trupa, deri verën e kaluar, trupa përbëhej nga vetëm 176,015 burra dhe gra.
Që prej asaj kohe, Bundeswehr është rritur në më shumë se 178,000 trupa aktive: vitin e kaluar qeveria e rriti financimin me 4.2 për qind dhe këtë vit shpenzimet për mbrojtjen u shtuan me 8 për qind. Mirëpo, Gjermania është ende pas Francës dhe Britanisë si fuqi ushtarake. Dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nuk është një çështje që nuk hap debat në Gjermani, e cila është e kujdesshme për shkak të historisë së saj si fuqi ushtarake. Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel së fundmi e cilësoi “tërësisht jo-realiste” të mendosh se Gjermania do të arrijë objektivin e NATO-s prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm për shpenzime të Mbrojtjes- madje edhe pse aleatët e Gjermanisë, që nga vendet më të vogla europiane deri tek Shtetet e Bashkuara, po e apelojnë atë të luajë një rol më të madh ushtarak në botë.
Gjermania mund të mos ketë ende vullnetin politik për të zgjeruar forcat e saj ushtarake në nivelin që shumë shpresojnë prej saj – por ajo që ka pasur prej vitit 2013 është Koncepti Kornizë i Kombeve. Për Gjermaninë, ideja është të ndajë burimet e veta me vende më të vogla në këmbim të përdorimit të trupave të tyre. Për vendet më të vogla, nisma është një mënyrë për ta përfshirë më shumë Gjermaninë në sigurinë europiane, ndërsa shmangin politikat e ngatërruara të zgjerimit ushtarak të Gjermanisë.
“Eshtë një lëvizje drejt një pavarësie europiane ushtarake më të madhe”, thotë Masala. “Britania dhe Franca nuk janë të disponueshme të marrin drejtimin në sigurinë europiane – Britania ndodhet në rrugën e largimit nga aleatët e BE-së, ndërsa Franca, me potencial të madh ushtarak, shpesh ka qenë hezituese në pjesëmarrje në misionet shumëkombëshe brenda NATO-s. Kjo situatë nxjerr në plan të parë Gjermaninë.
Sigurisht, që prej vitit 1945, Gjermania ka qenë jashtëzakonisht e kufizuar në dislokimin e trupave të saj jashtë territorit, deri në vitin 1990 ushtria e saj e kishte të ndaluar këtë dislokim. Por, partnerët më të vegjël të bllokut shpresojnë që Gjermania të marrë përsipër një rol më të madh.
Deri tani, Gjermania dhe mini-ushtritë e saj shumëkombëshe mbeten të kufizuara; nisma në shkallë të vogël, larg nja një ushtri e plotësuar europiane. Por këto nisma ka gjasa të rriten.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/