Një vit më parë, Gjermania u shpall “vendi më i mirë” në botë, sipas një sondazhi të universitetit të Pensilvanisë. Sondazhi mbështetej mbi kritere që masnin nismën sipërmarrëse, pushtetin, arsimin publik dhe cilësinë e jetës, mes të tjerash. Por për një numër në rritje gjermanësh, gjë e rëndësishme është se sondazhi ofronte konfirmim për imazhin që ata kanë projektuar për veten.
Vendi i dytë rrëshqiti në numrin katër në sondazhin e këtij viti, duke u renditur pas Zvicrës, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, por kjo nuk duket se bëri shumë për të cënuar vetëbesimin e një vendi që gëzon ekonomi në lulëzim dhe prestigj në rritje ndërkombëtar.
Cilado qoftë fusha, emigracioni apo industralizimi, politikat fiskale apo energjia e rinovueshme, gjermanët gjithnjë e më shumë besojnë se ata, dhe vetëm ata, dinë më shumë, të paktën duke gjykuar nga sjellja që mbajnë së fundmi kudo, që nga kolonat e gazetave deri tek fjalimete parlamentarëve apo bisedat e lira në birrari. Në gjermanisht, fenomeni përkufizohet me një fjalë: Besserwisserei, një sjellje-i di-të gjitha, të cilën gjermanët vetë pranojnë se është diçka si një tipar i ngulitur kulturor.
Por, po ashtu po bëhet e qartë se Besserwisserei bazuar mbi fakte i një vendi është vetëkënaqëia e patolerueshme e një vendi tjetër. Thjesht pyesni fqinjët europianë të Gjermanisë, dhe të tjera, përfshi Shtetet e Bashkuara, ku mëria ndaj gjermanëve është përkundur prej vitesh, me rrezikun e përhershëm të “derdhjes së kupës”.
Pakënaqësia është vetëm një pjesë e problemit që përfaqëson vetëkënaqësia e Gjermanisë. Tjetri është kërcënimi në rritje se vaniteti kulturor do të nisë të nuancohet në egotizëm politik vetë-humbës. Besserëisserei mund të jetë një tipar kulturor që gjurmohet deri në disa shekuj pas, por Gjermania mban më shumë pushtet në Europë sot, sidomos në Bashkimin Europian, sesa në çdo kohë tjetër në kujtesën e gjallë. Dhe Gjermania e kancelares Angela Merkel nuk ka hezituar ta ushtrojë atë rreth e rrotull. Pjesa tjetër e Europës me siguri e ka vënë re se po shtohen gjërat e bëra sipas mënyrës gjermane, madje edhe kur mënyra gjermane është e diskutueshme – ose ashtu si disa kritikë të vendit sugjerojnë hapur – se nuk është më e mira. Çështja e madhe për të ardhmen e Europës mund të mbështetet edhe në faktin nëse gjermanët do të jenë në gjendje ta vënë re këtë, gjithashtu.
Akuzat për egotizëm dhe sjellje dorë-gjatë janë relativisht të reja. Në vitet e republikës së Bonit, 1949-1990, Gjermania Perëndimore ishte një vartëse e përulur e aleancës perëndimore. Kjo urtësi dhe angazhimi i fuqishëm si shkëmb për të mirën e Bashkimit Europian, në të cilin pushteti politik shpërndahej më gjerë sesa ndodh sot (sidomos në drejtimin e Parisit), rridhte nga krimet e luftës së dytë Botërore kryer nga nazistët gjermanë. Sovraniteti i vendit pas lufte, mbahej nën kontroll nga aleatët perëndimorë, (dhe në lindje nga Bashkimi Sovjetik), dhe liderët e tij luftonin për të zgjeruar korsenë pak e nga pak përmes veprave dashamirëse.
Gjermano-perëndimorë kishin sjelljen më të mirë të mundshme për të mos u dukur agresiv apo të etur për pushtet. Ribashkimi ishte një subjekt tabu, ndërsa krenaria kombëtare dukej e topitur. Dhe ky aktrim si gjermanë të mirë (dhe europianë të mirë) shtroi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990. Që nga ajo kohë, pjesa më e madhe e Europës, edhe pse jo e gjitha, e besonte Gjermaninë, e merrte atë si demokraci me vullnetin për të sakrifikuar interesat e saj më të ngushta për një komunitet europian që e riktheu Gjermaninë në familjen e vendeve normale.
Diferenca, shpjegon Paul Lever, ish-ambasadori britanik në Gjermani dhe autori i “Rregullat e Berlinit” është se Gjermania ndodhet në sediljen e shoferit. “Gjermania është më e fuqishme sot se kurrë, sidomos brenda Bashkimit Europian, jo për shkak se zgjodhi të jetë kështu, por për shkak se nuk ka asnjë tjetër në gjendje të marrë drejtimin për momentin”, thotë ai, duke vënë në dukje pozicionin e dobësuar të Francës në bllok. Por, Lever nuk është i mendimit se gjermanët janë mendjemëdhenj, por thjesht “ata po ndjekin interesin e tyre pasi tani ata munden”, duke shtuar se vendet e tjera europiane kanë zgjedhur lirisht të ndjekin këtë linjë.
Despotizmi gjerman ka nxitur akuza zemërake për “imperializëm moral” nga ana e Hungarisë dhe fqinjët e saj në Europën qendrore, përfshi Sllovakinë, Poloninë dhe Kroacinë.
Ndërkohë, gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, kandidatët e më shumë se një partie, e kritikuan Merkelin se po impononte një politikë të eurozonës gjermane. “Ne urdhërojmë, ju bindeni dhe shpejt”, është mënyra sesi e përgjithëson në mënyrë kritike, publicisti gjerman Ëolfram Ëeimer mënyrën e operimit të Gjermanisë gjatë negociatave të shpëtimit të eurozonës, në një artikull të titulluar “Totalitarizmi virtuoz”. Ekonomisti amerikan,
Paul Krugman në mënyrë të përsëritur akuzon Gjermaninë se “moralizon” për politikat fiskale të Europës, duke e lidhur obsesionin e Gjermanisë me disiplinimin fiskal të cilin e cilëson tërësisht kundër-produktiv. Që kur Gjermania vendosi kushtet e rënda për paketat e rimëkëmbjes së eurozonës, duke nisur nga viti 2011, sondazhet në Europë tregojnë se shumë europianë i konsiderojnë gjermanët arrogantë, të pandjeshëm dhe egotikë (ndërkohë që në mënyrë të çuditshme, vlerësojnë sigurinë dhe ndikimin që japin në Europë).
Ajo që nxiti furtunën më të fundit të pakënaqësisë me gjermanët është surplusi financiar i vendit që shkon në 271 miliardë në vitin 2016, e që fryhet nga viti në vit pa ndonjë pengesë në sfond. Problem me gjithë këtë është se surplusi i Gjermanisë bën që shumë partnerë tregtarë, si Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu edhe Franca dhe Europa jugore, me llogari aktuale të paballancuara në tregtinë bilateral me Gjermaninë, e cila përkeqëson mungesën e ballancave eksport-import që në disa raste janë edhe kronike.
“Arsyeja përse Gjermania është kaq e suksesshme në eksport”, thotë David McAllister, politikan i lartë gjerman demokristian, për “Foreign Policy” është “produktet e saj janë shumë konkurruese, me cilësi shumë të lartë”. “Ne kemi ndërmarrë reforma të vështira që t’ia arrijmë kësaj”, thotë ai, duke iu referuar masave të shtetit të mirëqënies dhe të tregut të punës.
McAllister, i cili beson në buxhetet e pabbalancuara, duket i vetëdijshëm për mosmiratimin përreth, por përgjigjet: “Ato vende që kritikojnë Gjermaninë mund fare mirë të pyesin veten përse nuk janë aq të sukesshme dhe në vend që të ankohen, të shohin përse Gjermania është dhe të mësojnë nga kjo”.
Me fjalë të tjera, bëni sipas mënyrës sonë dhe mbylleni gojën.
Surplusi buxhetor është një vetëm një pikë ku gjermanët priren, në sytë e kolegëve të tyre për të imponuar dhe zbatuar politika ekonomike si ganxha morale. Nuk ka shembull më të mirë sesa leksionet e famshme të Merkelit për vendet me borxhe të Europës Jugore. Problemi sipas disa politikanëve gjermanë që e kanë shprehur edhe me zë të lartë, është se në kontrast me shtëpiaket gjermane që janë të kursyera, efikase dhe gjejnë gjithnjë burime, jugorët janë dembelë dhe kryejnë shpenzime marramendëse. Për më tepër, Gjermania e ka menaxhuar që të imponojë konservatorizmin fiskal mbi Greqinë dhe mbi ekonomi të tjera jugore: masa shtrënguese, reduktim të borxhit, afate të forta të ripagesave të kësteve.
Nuk është problemi vetëm se gjermanët rrallë e vënë re varfërinë ekonomike që shumë fqinj europianë duhet të durojnë. Gjermania, për shembull, mburret me nivelin më të ulët ndonjëherë të papunësisë mes të rinjve në 6.6 për qind, ndërsa në Greqi dhe Spanjë, niveli është 48 dhe 42 për qind.
Ka të bëjë edhe me ndjesinë e konservatorëve gjermanë për t’u mburrur më shumë se ç’duhet me ndikimin e sapogjetur në Europë. Në vitin 2011, në hyrje të Bundestagut, kristian-demokrati Volker Kauder njoftonte: “Tani e gjithë Europa flet gjermanisht!”, duke iu referuar disiplinës fiskale që të gjitha vendet e eurozonës nënshkruan për ta ndjekur, disa prej tyre kundër dëshirës dhe gjykimit të vet.
Jo të gjithë mendojnë se të gjithë këto mund të quhen arrogancë. Filozofi Ëolfram Eilenberger shpjegon se madje, edhe kur Gjermania bën diçka dukshëm të hijshme dhe bujare, si për shembull pranimi i kaq shumë refugjatëve, ajo akuzohet për arrogancë dhe sjellje të njëanshme”. “Ne mund të jemi po aq të përulur sa dhe në republikën e Bonit, për shkak se Gjermania ka më shumë përgjegjësi tani dhe nuk mund të zmbrapset. Ka një Gjermani të re që nuk është as agresive dhe as jo-tolerante”.
Sigurisht, një arsye tjetër përse sjellja gjermane acaron është fakti që Gjermania thjesht nuk është edhe aq universialisht superlative sa do të kishte preferuar të ishte. Kështu, Gjermania mund t’u japë leskione të tjerëve për deficitin sot, mirëpo shtetet e tjera europiane mbajnë mend se në vitet 2000 kur ekonomia gjermane ishte në ngërç e më pas gjatë krizës financiare, Berlini kishte deficite buxhetore më të mëdha sesa rregullat e BE-së – dhe shmangte dënimet për to. Deficitet ishin vendimtare për Gjermaninë që të mbante ekonominë në ecje.
Ndërkohë, Gjermania këmbëngul që vendet e tjera duhet të ndjekin drejtimin e saj në ndryshimet klimaterike, në mbylljen e stacioneve të energjisë bërthamore dhe në kalimin në brezin e energjisë së pastër. Por Gjermania është përdoruesja më e madhe e Europës së qymyrgurit të pistë, (e shtata në botë) dhe nuk është fare në rrugën e duhur për të përmbushur zotimin e marrëveshjes së Parisit për të reduktuar lëshimin e gazrave deri në vitin 2020. Eksportet e saj më të shitura janë automobilët e mëdhenj, të shtrenjtë dhe që nxjerrin tymra të dëmshëm.
Dhe, nuk është aspak aksidentale që skandali me kompaninë gjermane të prodhimit të makinave u zbulua në Shtetet e Bashkuara, larg nga dora e pushtetit politik dhe kulturor gjerman – apo që diskutimi në Gjermani për skandalin është fokusuar vetëm sesi kompania gjermane në fjalë mund të shpëtohet më shumë sesa për përgjegjësinë morale dhe financiare që duhet të shlyejë. “Eshtë e dukshme se BE duhet të marrë përsipër testimin e lëshimit të gazrave dhe se Komisioni duhet të vendosë gjoba të majme ndaj Gjermanisë”, thotë Lever. “Por nuk do ta bëjnë këtë gjë, për shkak se bëhet fjalë për Gjermaninë, kjo është asyeja. E gjitha tregon sesa shumë pushtet Gjermania ka tani”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/