Nga Bardha Nergjoni
Turizmi, ai që konsiderohet shpëtimtari i të ardhmes së ekonomisë shqiptare, ka protagonistët e tij në oferta, shërbime por edhe guida. Flora është një nga këta. ajo ka 12 vjet që promovon turizmin shqiptar. E ka nisur karrierën e saj si gazetare dhe më pas ka menduar se tregu kishte nevojë për guida të turizmit në Shqipëri në kohën kur guidat shërbenin për turizmin jasht kufinjve.
Në 12 vjet punë dhe experience, Flora Xhemani Baba sjell turizmin shqiptar me vendet magjepsëse të relievit malor dhe bregdetin e mrekullueshëm shqiptar dhe prezanton Shqipërinë tek të huajt. Si një gazetare në profesion, Flora nuk e ka mënjanuar median. Ajo nxjerr çdo muaj revistën Travel, e para dhe e vetmja revistë eksluzivisht turistike kushtuar Shqipërisë. Flora nuk e shikon gjithçka vaj. Turizmi ka probleme, shërbimi lë për të dëshiruar, infrastruktura po ashtu por të gjitha janë të kapërcyeshme dhe ka dritë në fund të tunelit.
Në një intervistë, Flora rrëfen eksperiencën e saj 12-vjeçare në reklamimin e turizmit shqiptar, dallgët e tij të problemeve dhe vështirësive si dhe vendet e bukura që shpesh i kemi kaq pranë por pak i vlerësojmë,
Flora, ju keni 12 vjet që merreni me guidat turistike shqiptare. Si ju lindi kjo ide?
Ideja lindi thjesht, në kontrast të thekshëm të ofertave “outgoing”, ose thënë shqip, paketave turistike që ofronin agjencitë shqiptare për të shkuar me pushime jashtë Shqipërisë. Mungesa e plotë e një literature turistike ose e një baze materialesh promovuese për Shqipërinë ishte vërtet një terr informativ, ndërkohë që po lulëzonin paketat turistike të Turqisë, Egjiptit, apo vendeve të tjera ku agjencitë të ofronin të shkoje me pushime. Atëhere ne thamë: “pse të mos ofrojmë edhe ne një material kur të reklamohet Shqipëria? Vërtet s`kemi ndonjë zhvillim të madh turistik por kemi një bregdet të mrekullueshëm që vende të tjera do të na e kishin zili. Kështu, në vitin 2006 lindi Linja Blu Shqiptare, ose katalogu i parë turistik, që ofronte informacion për strukturën e hoteleve dhe restoranteve që ishin ngritur nëpër bregdetin shqiptar deri në atë periudhë, shoqëruar me një informacion turistik për çdo qytet bregdetar që ishte përfshirë në katalog. Pjesa tjetër pastaj ishte rrjedhojë e vazhdimësisë së punës.
A ka ndikuar puna si gazetare për t`u marrë më pas me reklamimin e bukurive shqiptare?
Gazetaria dhe marketingu kanë një të përbashkët; të dyja janë komunikim. Nëse je i aftë të komunikosh siç duhet, besoj se arrin edhe qëllimin e asaj që kërkon. Puna ime si gazetare, që ka nisur qysh në vitin 1997, ka ndikuar dhe ndikon për t`i parë gjërat me syrin e të vërtetës në radhë të parë dhe me syrin kritik në radhë të dytë. Nëse ruan parimin e përhershëm për këto dy domosdoshmëri të gazetarisë, çdo problem apo dukuri që do të trajtosh, qoftë ky edhe turizmi, do të dalë në pah ashtu siç është në të vërtetë, pa zbukurime dhe pa teprime.
Ne e kemi ruajtur këtë raport në të gjitha botimet tona, duke mos zbukuruar e tepruar pa masë zonat e Shqipërisë që kemi ofruar si mundësi për turizëm. Kur kemi hedhur në treg revistën Travel, në maj të vitit 2011, kjo u bë më e dukshme sepse revista është një organ mirëfilli gazetaresk ku artikujt në radhë të parë ofrojnë brumë analitik për problemet e shumta që turizmi shqiptar ka, pastaj ofrojnë destinacionet apo mundësitë turistike që ofron Shqipëria.
Sa e vështirë ishte në fillim pasi dihet që turizmi shqiptar ka problemet e veta?
E vështirë? Oo, shumë e vështirë. Në kufijtë e së pamundurës. Problemi kryesor ishte se deri në atë moment kur ne vendosëm të krijonim një material promovues turistik, askush nuk kishte marrë mundimin të bënte diçka të tillë më parë dhe terreni ishte krejt i panjohur. Edhe ne vetë nuk ishim plotësisht të qartë se si do të shkonte nisma jonë dhe a do të mund të konkretizohej dot ajo apo jo. Vështirësitë e tjera jo më pak të vogla ishin se tregu të cilit i drejtoheshim, pra ata që kishin ndërtuar hotelet dhe restorantet, nuk ishin njerëz që ishin marrë me turizmin, që të kuptonin rëndësinë e marketingut turistik. Dhe t`i bindje ata të ishin pjesë e një botimi turistik nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Prandaj edhe sot, pas më shumë se 11 vjetësh nuk di nëse i kemi falënderuar sa duhet ata që u bënë pjesë e botimit të parë, i cili na dha zemër të vazhdonim e të vijmë këtu ku jemi sot, me rreth 15 tituj botimesh turistike në treg.
Sa ka ndryshuar nga ajo kohë interesi i bizneseve për të qenë pjesë e guidave?
Ka ndryshuar shumë. Por kanë ndryshuar edhe shumë gjëra të tjera që e kanë bërë këtë fushë të turizmit, pra fushën e publikimeve turistike, një pjesë të domosdoshme të industrisë së turizmit. Sot, shteti shqiptar përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, por edhe përmes shumë operatorëve turistikë që u shesin paketa turistike të huajve, merr pjesë në panaire turizmi nëpër të gjithë botën. Dhe, që të marrësh pjesë në një panair turizmi, duhet të kesh materiale promovuese. Jemi të lumtur që tashmë pjesë e këtyre panaireve janë shpeshherë edhe botimet tona.
Cili ka qenë vendi që ju ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri, që nuk e njihnit dhe e keni bërë pjesë të guidave tuaja?
Në fakt kjo pyetje është standarte dhe përgjigja është e vështirë sepse Shqipëria ka shumë vende që të bëjnë përshtypje, edhe kur i zbulon për herë të parë, edhe kur u rikthehesh. Dhe për më tepër, janë vende kaq të ndryshme nga njëri-tjetri saqë nuk di se cilin të evidentosh më parë dhe për çfarë veçanësish. Megjithatë mund të them pa frikë se jam mahnitur kur kam parë për herë të parë Kanionet e Osumit e më pas ato të Nivicës. Kur kam fotografuar për herë të parë Këlcyrën, kur kam vizituar Farma Sotirën në Leskovik, një vend përrallash që vazhdon të na mahnisë edhe sot.
Po të futem më thellë në kohë, mund të them që nuk do ta harroj dot udhëtimin me varkë përreth ishullit të Shurdhahut dhe vizitën aty diku nga viti 1998, për të realizuar një reportazh në televizionin ku punoja. Termi që përdorej atëherë në drejtim të promovimit ishte “turizmi shëtitës”. Sot quhet “hiking”, pra ecje në natyrë për të shijuar bukuritë që ajo ofron. Po kur kam parë perëndimin në grykëderdhjen e Vjosës? E magjishme. Dukej sikur ishe buzë Nilit. Ka edhe plot vende të tjera por që nuk do na mjaftonte intervista. Plazhi i Gjeneralit, për shembull, në bregdetin e Kavajës, një gji blu mes një kurore me gjelbërim të përhershëm, guralecë shumëngjyrësh që mbushin bregun e thyer të detit. Nuk i them dot të gjitha.
Si ka ndryshuar kultura e turizmit tek bizneset shqiptare?
Që nga momenti kur kjo industri ka fillimet e saj, natyrisht që ka ndryshuar shumë. Hotelet e para që u ngritën kryesisht në bregdet dhe agjencitë e para që u hapën ne mesin e viteve nëntëdhjetë, sigurisht që nuk kishin këto njohuri dhe përvojë që kanë sot pas rreth dy dekadash. Për shembull vetëm një detaj të marrësh parasysh, do të kuptosh se sa ka ndryshuar koncepti; një person ose grup interesi kur do të hyjë në këtë industri dhe të ndërtojë fjala vjen një hotel, e ndërton atë që në fillim me standarte dhe jo thjesht si një ngrehinë për të fituar ca para.
Megjithatë, ka akoma mangësi serioze sepse pikërisht për shkak të mungesës së përvojës, nuk jemi aty ku duhet me dy fusha kryesore, njëra prej të cilave varet nga shteti dhe tjetra kryesisht nga sektori privat. E para është infrastruktura e terrenit, rrjeti rrugor dhe ambienti kaotik ku notojnë sot shumica e hoteleve dhe resorteve turistike. Tjetra është shërbimi dhe pasja e kësaj kulture nga stafi i një strukture turtistike në përgjithësi. Në këtë drejtim duhet të bëjmë akoma shumë. Sepse një person i botës së biznesit që hyn në fushën e turizmit, e kupton që duhet të investojë për të pasur një hotel luksoz ose një agjenci me autobusë komodë por nuk e kupton akoma që duhet të investojë po kaq shumë në staf.
Çfarë keni shtuar dhe hequr këto vite nga guidat?
Hequr, asgjë. Ndryshuar, një pjesë të botimeve që kanë shkuar gradualisht duke u ndryshuar dhe plotësuar sipas kërkesave dhe sugjerimeve të tregut. Shtuar, kemi shtuar shumë informacione brenda botimeve por edhe shtuar produkte, sepse në krahasim me vitin e parë të punës, ku kemi botuar Linja Blu Shqiptare dhe Katalog i Restoranteve të Tiranës, sot kemi më shumë se 15 tituj botimesh në treg. Përveç Linjës Blu, që sot është Guida e Bregdetit Shqiptar dhe ofrohet në katër gjuhë, ne kemi realizuar edhe një guidë për turizmin e gjelbër që quhet Albania Green Guide, një guidë xhepi për të gjithë Shqipërinë, që quhet Albania – pocket guide, guida turistike për një sërë qytetesh si Durrësi, Kruja, Shkodra, Saranda, Vlora dhe natyrisht Tirana, si dhe harta turistike të thjeshta për këto qytete, gjithashtu edhe revistën Travel.
Botoni edhe revistën e parë të turizmit Travel. Sa e vështirë është të botohet në kohën që jetojmë dhe cili është roli i saj në promovimin e turizmit?
Të krijohej një revistë turizmi nuk ishte shumë e vështirë sepse kishim përvojë tashmë në këtë fushë dhe realizimi i saj erdhi natyrshëm. Por ama, të mbash një revistë në tregun e vështirë shqiptar, mbushur plot me revista që ngjajnë më njëra-tjetrën si pika uji, qoftë kjo edhe një revistë turizmi që është e vetmja që qarkullon në këtë treg, është realisht shumë e vështirë. Megjithatë përkrahja që kemi nga bizneset dhe partnerët tanë është e admirueshme. Revista është një pasqyrë e asaj që ndodh me turizmin në Shqipëri dhe të gjithë rajonin tonë shqipfolës, Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi. Aty ka rubrika interesante ku të huajt shkruajnë për Shqipërinë, ka rubrika që trajtojnë problematika të turizmit, ka sugjerime për vende të ndryshme nëpër Shqipëri e rajon, destinacione të pazbuluara më parë etj. Sot, pas pesë vjetësh që e botojmë, ndjehemi shumë mirë, që shumë njerëz ia njohin revistës tonë, zbulimin dhe masivizimin e një sërë vendesh më parë të panjohura në Shqipëri.
Cilat janë pikat e forta dhe pikat e dobëta të turizmit sot në Shqipëri?
Pikat e forta e që duhet nxituar sa më parë që të mos dobësohen, janë vendet e bukura, ende të pashkatërruara që kemi e që duhet t`i ruajmë ashtu siç janë. Mikpritja, që shpesh trumbetohet kot së koti aty ku nuk duhet por që, po të plotësohet edhe me çfarë i nevojitet për t`u nxjerrë në pah, mund ta shfrytëzojmë në kufijtë e thesarit. Fakti që jemi vend kryesisht bujqësor i pazhvilluar nga ana industriale, çka të huajt e vlërsojnë shumë. Mbi këtë bazë mund të zhvillojmë agroturizëm të pastër, e të ofrojmë ushqime të shijshme e të pamodifikuara. Kuzhina ka shumë rëndësi në ofertën turistike dhe ne fatmirësisht e kemi të larmishme.
Rrënjët tona të identitetit kulturor, që i kemi të ngulura në çdo shpat mali, me nga një kala apo një varrezë, apo rrënoja qytetesh antike, janë një pikë tjetër e fortë. Ndoshta nga ana arkitekturore ato nuk kanë ndonjë vlerë, po t`i krahasosh me trashëgiminë marramendëse që ka bota (le të mos shkojmë më larg se Italia, e cila zotëron 40 % të trashëgimisë botërore të UNESCO-s) por kjo trashëgimi historike dhe kulturore që kemi, dëshmon që jemi po aq të vjetër sa Roma, Greqia e Bizanti.
Pikat e dobëta janë shumë në fakt por do të veçoja si dy kryesore, mungesën e theksuar të shërbimit në të gjithë sektorin. Lë shumë për të dëshiruar, aq sa dëmton edhe shijen e ofertës në përgjithësi. Për shembull, ti qëndron në një hotel luksoz me pesë yje për nga standarti por poshtë tek bari i hotelit duhet dy orë që të marrësh një porosi. Dhashë në shembull thjesht ilustrues. Ndërkohë, në një hotel jashtë shtetit me standarte shumë më modeste, shërbimi i përkryer mbulon shumë mangësi të tjera që has klienti. Pika tjetër është ajo që e përmenda edhe më lart, infrastruktrura rrugore dhe ajo e terrenit ku janë ndërtuar hotelet. Të arrish të gjesh hotelin tënd të vogël në xhunglën e pallateve shumëkatëshe të Golemit, është një heroizëm. Shumë rrugë në Shqipëri janë ndërtuar dhe kjo është gjë e mirë, por shumë të tjera nuk janë mbyllur ende dhe kjo krijon kaos të tmerrshëm.
Çfarë do të dëshironit të ndryshonte në politikat ndaj turizmit?
Nga politikat e turizmit? Gjithë politika. Të konsiderohej turizmi si pjesë e rëndësishme e ekonomisë jo vetëm me fjalë por me vepra konkrete. Ndoshta ligji i ri i turizmit do ta bëjë më në fund këtë. Turizmi në Shqipëri kështu kaotik siç është dhe ndikon dukshëm në të ardhurat e ekonomisë, imagjinoni sikur të futej në shina dhe të kishte investimet e duhura në fusha që e ndihmojnë zhvillimin e tij se çfarë ndihme do të ishte për ekonominë. Të ndihmoheshin banorët e zonave rurale me grante të vogla që të zhvillonin turizmin familjar. Është i vetmi që mund t`i nxjerrë fshatrat shqiptarë nga varfëria dhe prapambetja. Shikoni Thethin dhe Valbonën si janë sot. Kështu mund të bëhej me çdo fshat të Shqipërisë, që ka natyrë të mrekullueshme por nuk disponojnë asgjë tjetër për të ecur përpara.
A është zgjedhje jete puna juaj me guidat?
Po, sot po. Ne e duam këtë punë që bëjmë. Po të mos e donim, nuk do ta bënim dot, sepse do të ishte e pamundur prej shkallës së lartë të vështirësisë. Kjo nuk është një punë që të bën të pasur nga ana financiare. Ti thjesh jeton mirë, ashtu siç do të jetoje me çdo punë tjetër, po t`i kushtoheshe 24 orë. Ama, është një punë e bukur sepse të mban vazhdimisht në lëvizje dhe sheh gjithmonë gjëra të reja. E kush nuk do të donte të ishte gjatë të gjithë jetës në udhëtim të vazhdueshëm?
Si e shikoni të ardhmen e turizmit dhe të guidave?
Po, besoj se në Shqipëri do ta bëjmë këtë punë edhe për disa dekada, nëse do të kemi shëndet dhe jetë, sigurisht. Në mos ne, të tjerë pas nesh. Sepse interesi për guidat dhe për botime të tjera turistike është i lartë, ai rritet me një progresion 30-40% çdo vit, çka na shtyn të besojmë se duhet të vazhdojmë. Pastaj i kemi vënë vetes edhe një qëllim. Herët a vonë, do ta pajisim çdo qytet turistik të Shqipërisë me një pasaportë, domethënë me një guidë turistike. Megjithëse kemi rreth 12 vjet që punojmë, ka një uri të vazhdueshme për këto botime. Pastaj, Shqipëria e të nesërmes do të jetë turistike apo jo? Dhe ne me guidat tona do të jemi pjesë e saj. /tesheshi.com/