Një restorant i njohur në Theth u shkrumbua plotësisht nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndodhur kjo teksa aty ka nisur një aksion për prishjen e shumë strukturave akomoduese të ndërtuara pa leje. Ndaj, jo vetëm për këtë arsye, ngjarja mban erën e një akti hakmarrës.
Fjala është për restorant “Vila Gjecaj”, në pronësi të Petrit dhe Aida Gjecajt.
Dhe ky çift nuk rezulton i panjohur, pasi Petrit Gjecaj është oficer policie pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Aida, ka qenë e ftuar më herët në podcastin me kryeministrin Edi Rama.
Detyrat e tyre si dhe “afrimiteti” me kreun e qeverisë kanë ngritur dyshimet se mund të kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme dhe jo që flakët të kenë ardhur si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike.
Në një deklaratë për mediat, Aida Gjecaj ka pohuar se nuk ka armiqësi me askënd dhe se deri më tani nuk është kërcënuar nga askush. Ndërkohë, ka shtuar se ekspertët deri më tani e kanë përjashtuar si shkak të zjarrit shkëndijën elektrike.
Gjithashtu ajo e ka lidhur djegien e restorantit të saj të vogël me aksionin e IKMT-së në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilën e konsideron si një “koincidencë të keqe”, duke nënkuptuar kështu se zjarri mund të jetë vendosur nga persona të tjerë të cilëve u janë prishur shtëpizat e tyre nga shteti.
“Ekspertët thonë se energjia nuk ishte shuar fare, edhe pse godina ishte në flakë, gjë që përjashton shkëndijën elektrike. Unë nuk kam dyshime, nuk kam askujt borxh, s’kam pas as kërcënim as gjë, dhe nuk di pse ka ardhur. Unë jam një bujtinë me 5 dhoma, pasi s’kam dashur të ndërtoj asgjë pa leje, por s’di kujt t’ja vë gishtin. Koncidenca me aksionin në Theth është e keqe, sepse unë nuk kam procedim për prishje, pasi nuk kam ndërtime ose objekte pa leje.
Kam zgjedhur të punoj me restorantin dhe pesë dhoma, duke pritur dhe përcjellë sa të kemi mundësi për t’u ofruar një shërbim maksimal turistëve dhe emrit të Thethit”, tha ajo për mediat, duke shtuar më tej se si pasojë e zjarrit i është shkrumbuar gjithçka dhe se dëmi deri më tani vlerësohet rreth 150 mijë euro.