Për herë të parë, ka thënë diçka për “t’u mbajtur mend” edhe ambasadorja Vlahutin. E njohur si një grua fjalëpakë, dhe paksa e tërhequr nga protagonizmi ligjërimor, ambasadorja e BE-së e ka “lëshuar” gojën gjatë fjalës së saj në prezantimin e planit kombëtar anti-krim me ndihmën e FBI-së, duke qenë dhe më troçtë se Lu, e po ashtu më thumbuese.,
“Sot ka nga ata që shesin atdheun për shtëpinë, janë pak nuk kanë turp dhe moral dhe as respekt për këtë vend që u dha jetën”, ishte ndër frazat më me spec të flokëkuqes nga Kroacia, siç e ka pagëzuar cinikisht opozita.
Dhe nga ana tjetër, duke folur mbi krimin, ajo tha se ai nuk duhet treguar më i zgjuar se shqiptarët e ndershëm.
“Krimi i organizuar ekziston në shumë vende dhe nuk do t’ia dijë për asgjë, por në shumicën e vendeve jepet përgjigje e fortë, e ashpër dhe e prekshme nga gjyqësori dhe këtu është dallim, diferenca që institucionet të luftojnë krimin, pasi që të jesh kriminel nuk do të thotë që të jesh më i zgjuari, nuk besoj dot kurrë që të jenë më të forta se institucionet e një demokracie, vendi juaj nuk e meriton të asociohet me të tillë, shqiptarët janë të zgjuar, krimi sjell kosto shumë të madhe në ekonomi.
Shpresoj me gjithë zemër që të kem të drejtë, e uroj ministren, dhe gjithë ata që janë të ndershëm në polici që duan të bëjnë gjënë e duhur që duan të tregojnë se kanë vullnet të mbrojnë ligjin.
Ne nuk jemi prokurorë, nuk e bëjmë dot punën tuaj për ju, por jemi aleatët dhe partnerët, do t’ju ndihmojmë dhe monitorojmë”, tha Vlahutin, kryediplomatja e BE-së në Tiranë. /tesheshi.com/