Suksesi i përfaqësueses shqiptare në Haifa ndaj asaj izraelite, me një fitore 0-3 që i ngjit kuqezinjtë në vend të tretë në grupin G të eliminatoreve të Botërorit, ka zënë vend dhe në shtypin izraelit.
E përditshmja The Jerusalem Post e raporton ndeshjen me një titull të tillë: “Izraeli pëson humbje dërrmuese karshi Shqipërisë.”
Izraeli mund të kishte arritur objektivin fillestar në grupin G, duke krijuar një diferencë prej gjashtë pikësh me Shqipërinë në betejën për vendin e tretë, por në vend të kësaj pësoi një humbje dëshpëruese, thuhet mes të tjerash në raportimin e saj.
“Shqipëria dërrmon Izraelin 3-0 në kualifikueset për Kupën e Botës,” shkruan The Times of Israel.
Izraeli ishte favorit për ta fituar ndeshjen, lexohet po aty, por pësoi një humbje të rëndë.
Shumë më kritike tregohet Jewish News, në një raportim me titull, “Izraeli pëson humbje demoralizuese nga Shqipëria.”
Komenti për ndeshjen i kësaj gazete të shitur në Britani është kësisoj: “Izraeli bëri paraqitjen më të keqe të fushatës kualifikuese për Botërorin 2018, e të viteve të fundit, teksa pësoi një humbje demoralizuese në fushën e tij karshi Shqipërisë.” /tesheshi.com/