Përfaqësuesit serbë dhe kosovarë kanë nënshkruar një marrëveshje me Lufthansa-n që bën të mundur rikthimin e linjës ajrore Beograd-Prishtinë pas më shumë se 20 vitesh.
Marrëveshja u nënshkrua në Ambasadën Amerikane në Berlin në prani të ambasadorit dhe njëheësh të Dërguarit të Presidentit Trump për Dialogun mes Beogradit Prishtinës, Richard Grenell dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Robert O’Brien.
Në emër të Serbisë, firmosi Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Ekonomisë Milun Trivunac, dhe nga Kosova, firmëtar qe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha.
O’Brien e quajti marrëveshjen “historike”, duke shtuar se lidhjet tregtare ishin “shtylla kurrizore e ekonomisë moderne”.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mirëpriti nënshkrimin e marrëveshjes për të rivendosur linjën ajrore Beograd-Prishtinë si “një hap të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit të raporteve”. /tesheshi.com/