Një ditë më parë, znj. Ledi Shamku, e njohur për sprovat e saj kurajoze në linguistikë – gjë që e klasifikon si një autoritet në këtë lëmi – postoi në profilin e saj në FB këtë tekst:
Një vërejtje gjuhësore për emrin e festës
Shoh që e quajnë gjithkund Fiter Bajram. Më bën përshtypje kjo fjala e re Fiter. Është njëlloj si unë ta quaja Pashkën: Pascha ose Pasqua. Dhe jo me përshtatjen në shqip që i dha tradita kulturore e bashkësisë sime shqipfolëse: Pashkë e madje Pashkët (në shumës).
Në shqip këtë festë e kemi quajtur Vitër e jo Fiter. Madje nga gjyshja ime kam pasë dëgju edhe një proverbë që lidhej me emrin e kësaj feste: kur dikush i kthente një borxh apo kusur me lekë të vogla (10 lekesha, 30 lekësha), ajo thonte: M’i ke dhonë këto lekë si PARE VITRI.
E pata pyetë c’don të thotë, e m’qe përgjigjë që për festën e Bajramit (si kjo sotmja) e kemi për detyrë morale me çu grurë ose pare të holla te të vobektit (të varfrit). E kështu në fund të ditës së festës, këtij të vobektit i mblidhej një sasi ndihmash edhe në lekë, po ngaqë sekushi kish dhënë nga pak, shuma ishte në të shkoqura (siç thonë korçarët), apo në pare Vitri, siç i quajnë tironcit.
Gëzuar pra VITËR BAJRAMIN, në emër të traditës sonë shqip!
Dhe ky tekst i znj. Ledi Shamku u bë dhe lajm një ditë më pas. Redaksia tesheshi.com zgjodhi t`i bëjë një oponencë zonjës në fjalë, jo në funksion të kundërshtimit apriori, shoqëruar me një gjuhë përjashtuese që zë vend jo të vogël në diskursin e sotëm mediatik; por në funksion të qartësimit sa më tepër të një fenomeni gjuhësor, për të gjithë atë grupim njerëzish të cilëve nuk iu interesojnë emrat apo statuset shoqërore dhe fetare të atyre që shprehin një qëndrim të caktuar kritik, por argumentet që ata mbrojnë. Dhe në këtë frymë, morrëm prej hoxhës dhe studiuesit në lëminë e besimit islam, Justinian Topulli – njëherësh dhe kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë – një trajtesë oponente lidhur me kritikën e znj. Shamku…
Nga Justinian Topulli
Sa herë që vijnë festat fetare islame, na bie rasti të dëgjojmë disa dallime dialektore në shqiptimin e termave përkatës. Kështu, p.sh., fjalën “Bajram”, që do të thotë festë, ose kremtim, dhe të cilën ne e kemi marrë nga turqishtja, e dëgjojmë të shqiptuar prej disa zonave të Shqipërisë, kryesisht në jug, si “Barjam”; pra, me një zhvendosje të “r”-së para “j”-së.
Në fakt, ky nuk është rasti i vetëm kur fjalë me origjinë turke ose arabe deformohen në shqiptimin e tyre në shqip. Për shembull, emrin Ahmed e gjejmë edhe si Afmet, emrin Rrahman si Rrafman, etj. Mes këtyre është edhe fjala “Fitër”, e cila në zonën e Tiranës, dhe përgjithësisht në Shqipërinë e Mesme, shqiptohet me fonemën “v”, ndërkohë që në origjinalin në arabisht ajo është me “f”. Madje, gjuha arabe nuk e ka fare në alfabetin e saj shkronjën “v”, por, siç duket, për shkak të afërsisë nga ku del shqiptimi i këtyre dy fonemave, për lehtësi shqiptimi, të përshtatur me karakteristikat e zonave të caktuara, fjala nga “Fitër” shqiptohet si “Vitër”. A është ky ndryshim një devijim në kuptim?
Natyrisht, për ne si shqiptarë, në përdorimin lokal, të ngushtë, të kësaj fjale, në zonën e Tiranës dhe më gjerë, si Vitër Bajrami apo Fitër Bajrami identifikojnë të njëjtën festë, që është Bajrami i cili vjen pas përfundimit të Ramazanit (arabisht, Ramadan), dhe, nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë problem. Por, në përdorimin e përditshëm të muslimanëve praktikantë, fjala “vitër”, apo “vitra”, ngatërrohet me një fjalë tjetër, me termin “uitër”, me të cilin identifikohet një falje ditore e caktuar, e që në shqip e në disa gjuhë të tjera shqiptohet me “v”, pra, “vitër”.
Kështu që, në kohët e sotme, kur kemi një lëvizje të madhe të popullsisë, e po ashtu dhe ndërthurje kulturash dhe dialektesh në një vend të vetëm, siç është Tirana, na ka rënë disa herë rasti ta shohim si njerëzit e ngatërrojnë fjalën “vitër”, që identifikon “Fitër Bajramin”, ose “fitrat”, me termin “vitër”, i cili identifikon një falje të caktuar ditore. Prandaj, për t’iu përmbajtur sa më saktësisht termit në origjinal, duhet përdorur fjala “Fitër” në vend të fjalës “vitër”, dhe, në mënyrë të ngjashme, “fitrat” në vend të fjalës “vitra.”
Në të vërtetë, në lidhje me fjalën “Fitër”, tradita shqiptare e shqiptimit të saj e mbështet formën e përdorimit të sotëm. Kësisoj, nëse i referohemi organit zyrtar të KMSH-së në vitet para ndalimit të fesë, do të gjejmë se kjo fjalë është përdorur pikërisht kështu. Për shembull, në revistën “Kultura Islame”, organ i “Komunitetit Musliman Shqiptar”, Nr. 1 (61), Shtator 1944, kemi një artikull redaksional në faqen e parë të saj, me titullin, “Festa e Bajramit të Madh ase të Fitrit”. Ndër të tjera, në paragrafin e tij të dytë gjejmë të shkruar edhe këto fjalë:
“E para e këtyne festave asht emërtue “Ijd-ul-Fitr”. Terma “Fitr” don me thanë me fillue, prej ku asht nxjerrë edhe terma “Fitre” qi jep kuptimin Naturë. Iftar don të thotë çelje e agjënimit. Tekëndej, agjinue si këthehet në rrjedhën natyrore ase në përmbushjen e kërkesës së naturës.
Asht prej këtu qi emni Ijd-ul-Fitr ngjan të jetë marrë, sepse ndjek muejin e agjënimit dhe zen vendin në të parën ditë të muajit Sheval. Na, Ijd-ul-Fitrit, i themi Bajram’i i Madh. I themi edhe Bajrami i Fitrit.”
Si rrjedhim, fjala “vitër” është në këtë rast thjesht një përshtatje lokalo-krahinore në shqip, dhe nuk përfshin aspak tërë traditën kulturore të bashkësisë shqipfolëse, në të gjitha viset shqiptare.
P.s. Fjala “ijd” do të thotë festë në gjuhën arabe, ndërsa “Sheval” quhet muaji hënor që vjen menjëherë pas Ramazanit. /tesheshi.com/