Presidenti i Superligës së sapoformuar të futbollit, Florentino Perez, tha se lojtarët që do të luajnë në këtë garë nuk duhet të kenë frikë nga kërcënimet nga UEFA dhe FIFA, dhe se ata do të jenë në gjendje të luajnë për kombëtaren e vendeve të tyre.
“Futbollistët mund të jenë plotësisht të qetë”, theksoi Perez i ftuar në programin e futbollit në televizionin spanjoll La Sexta.
Pasi 12 klube të pasura nga Spanja, Anglia dhe Italia ranë dakord të krijojnë kampionatin e tyre me 20 ekipe, UEFA tha se lojtarët që luajnë në këtë garë nuk do të jenë në gjendje të luajnë për ekipet e tyre kombëtare në Kupat e Evropës dhe Botës .
“Kjo nuk do të ndodhë. Ky konfuzion është krijuar nga ata që mbajnë monopolin e futbollit. Sigurisht, UEFA është një monopoliste dhe nuk ka pasur një imazh të mirë gjatë gjithë historisë, por nuk dua të përmend gjëra,” tha Perez, duke iu referuar aferave të korrupsionit.
“Ata nuk duhet të kërcënojnë askënd sepse ne nuk po bëjmë asgjë të keqe. Sipas mendimit tonë, formati i tyre i konkurrencës nuk funksionon. Atraktiviteti i Ligës së Kampionëve po zvogëlohet,” shtoi Perez, presidenti i Real Madrid, një klub me rekord 13 tituj evropianë.
UEFA njoftoi të hënën se në 2024 do të prezantojë një format të ri të Champions League, një garë që përveç kësaj shkon në avantazh të klubeve të pasura, por që është larg ekstremit të Superligës.
“Ata thonë se do ta fillonin këtë garë në 2024. Por atëherë ne do të kemi vdekur. Disa klube kanë humbur qindra miliona euro. Vetëm Real ka mbetur pa të ardhura rreth 400 milion euro gjatë dy sezoneve”, theksoi ai.
Spekulohet se Super League mund të fillojë në gusht 2022 ose 2023.
“Sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Perez.
“Ne vërejmë se audienca është më e vogël dhe se të ardhurat nga të drejtat televizive po bien. Jo vetëm për shkak të pandemisë. Eshtë e nevojshme të analizohet pse të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç nuk janë të interesuar për futboll. Ata kanë platforma të tjera argëtuese. Ka shumë ndeshje por ato nuk janë të një cilësie të mirë, prandaj duhet të ndryshojmë diçka. Ndeshjet Real – Manchester ose Barcelona – Milan janë më tërheqëse sesa ndeshjet e klubeve mediokre në Champions League dhe kjo është arsyeja pse ato sjellin fitime më të larta”, shtoi ai.
Perez tha se këto klube më të mëdha kanë tifozë në të gjithë botën.
Klubet do të luanin Super League gjatë javës, në vend të Champions League, dhe në fundjavë ata normalisht do të garonin në kampionate kombëtare.
Perez vëren se një sistem i tillë aktualisht ekziston në basketboll, ku disa garojnë në Euro League-n e pasur dhe disa në Ligën e Kampionëve, ndërsa gjatë fundjavave të gjithë luajnë në kampionate të vendit.
“Ne ofruam një format që do të kursente futbollin. Gjithashtu, Kupa e Kampionëve u krijua në të njëjtën kohë, dhe pastaj Liga e Kampionëve. Nëse nuk kemi para të mëdha, as klubet e tjera nuk do t’i kenë, sepse ne blejmë lojtarë prej tyre. Eshtë si një piramidë. Nëse na mbarojnë paratë, edhe më të voglit do t’i mbarojë. Kjo është arsyeja pse kjo është një zgjidhje e mirë për të gjithë”, deklaroi ai.
Real Madrid, Chelsea dhe Manchester City kanë arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve këtë sezon, së bashku me PSG-në, dhe Perez thotë se nuk flitet për dëbimin e tyre për shkak të luftës me UEFA.
“Ligji na mbron,” tha ai.
Perez u zgjodh president i Super League sepse ai ka qenë në krye të Real Madrid për 20 vjet.
“Ata më zgjodhën mua sepse unë e nisa këtë inisiativë,” tha ai, duke shtuar se do të fliste me UEFA-n dhe FIFA-n në ditët në vijim dhe do të përpiqej t’i shpjegonte publikut idenë dhe përparësitë e Superligës. /tesheshi.com/