Barazimi ishte rezultati që nuk i shërbente asnjërit prej ekipeve në përballjen e mbrëmshme mes Fiorentinës dhe Napolit në Firence, e për më tepër napolitanëve, që tani janë të detyruar ta shohin Juventusin të shkëputur prej tyre.
Takimi mes dy ekipeve më të spikatura këtë sezon në kampionatin italian nisi vrullshëm, me gola. Alonso i kaloi vendasit në epërsi në minutën e 6-të, por vetëm pak çaste më vonë përgjigjet Higuain, që rivendos ekuilibrin në fushë dhe në rezultat. Iniciativa do të kalonte më pas sa në njërin krah në tjetrin, veçse çdo përpjekje do të përfundonte pa sukses. Rezultati 1-1 nuk do të ndryshonte gjer në fund të 90 minutave.
Portieri i Napolit, spanjolli Pepe Reina, do ta shihte pozitivisht pikën e fituar, siç e tregojnë fjalët e tij të thëna pas ndeshjes, “Gjëja e rëndësishme sonte ishte të kthenim diçka në Napoli dhe të qëndronim në ndjekje. Pa dyshim që do të jemi në garë gjer në fund. E dimë se është e vështirë, pasi Juventusi është një ekip i madh, ndërsa Fiorentina dhe Roma po luftojnë për vendin e dytë.”
Napoli nuk fiton prej 7 shkurtit, ditës kur do të mundtte Karpin, e nga kryesues i Serisë A është kthyer në ndjekës të Juventusit, që tani ka tre pikë më shumë e mban vendin e parë në renditje.
Ndërsa Fiorentina është në një kuotë pikësh me Romën e vendit të tretë, çka e bën tepër të rëndësishme ndeshjen e së premtes midis këtyre dy skuadrave në kryeqytetin italian.
Në një tjetër takim të luajtur dje, Lacio humbi dje 0-2 në fushën e vet ndaj Sassuolos. Berardi dhe Defrel ishin shënuesit për miqtë. /tesheshi.com/