Nga Bardha Nergjoni
Kulla e sahatit dhe xhamia janë dy objekte të vjetra që të mirëpresin në qendër të qytetit të Peqinit. Jo rrallë, këto dy objekte i gjen pranë njëri-tjetrit në shumë qytete të tjera dhe historia e tyre shpesh gërshetohet nga ndërtimi e deri në ditët e sotme. Peqini ka një histori të lashtë që dokumentohet me kalanë e Klaudjanës, gjurmët e Via Egnatia dhe objekte të tjera mjaft të rëndësishme që dokumentojnë historinë e zhvillimit të qytetërimit. Ky qytet ka edhe legjenda, të cilat gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen dhe e bëjnë këtë vend të mistershëm dhe të veçantë.
Shumëkush mund të ketë dëgjuar për legjendën se në një nga xhamitë e dikurshme të Peqinit është mbajtur fija e flokut e profetit Muhamed. Historiani peqinas, Genc Gripshi thotë se kjo nuk është legjendë por një e vërtetë e dokumentuar edhe në arkivat osmane. Fija e flokut e profetit, sipas Gripshit, tërhiqte shumë njerëz që vinin nga larg në atë xhami. Ai shprehet se Peqini ka qenë me besim njëqind për qind mysliman dhe fakti që kishte fijen e flokut të Profetit e bënte akoma edhe më tërheqës. Askush nuk e di se nga ka ardhur kjo fije floku, por sipas tij ka qenë pashai i Peqinit, Abdurrahman Bonati, ai që ka ndërtuar edhe një prej xhamive më të vjetra të këtij qyteti që mendohet ta ketë sjellë në këtë qytet.
“Në kalanë e Peqinit ka qenë edhe xhamia më e vjetër e Shqipërisë. Në këtë xhami është ruajtur edhe kutia me fijen e flokut të profetit Muhamed. Kjo xhami ka qenë e vizitueshme nga shumë besimtarë që vinin prej krahinave të ndryshme si nga Maqedonia, Kosova, Turqia, etj.”.
Sa i përket vendndodhjes së kutisë në ditët e sotme, Gripshi thotë se kanë arritur afër gjetjes së saj dhe kthimit në xhaminë e Peqinit. “Kjo kuti ka qenë në xhaminë e Peqinit deri në vitin 1967 dhe mendohet se e ka marrë një imam që ka shërbyer në Peqin. Shpresojmë që kjo kuti t’i kthehet sërish xhamisë së qytetit të Peqinit. Nga kërkimet që kemi bërë rezulton se është në Lushnje dhe do të bëjmë përpjekje që kutia të kthehet në vendin e saj dhe Peqini të kthehet në shkëlqimin e dikurshëm”.
Peqini ka një histori mjaft interesante sa i përket respektimit të besimit islam. Në kodrën më të lartë, që sot njihet si “Kodra e topit” ishte vendosur një top që përdorej gjatë muajit Ramazan për hapjen e iftarit dhe përfundimin e syfyrit. Thirrja e ezanit në minare dhe oshëtima e topit dëgjoheshin jo vetëm në Peqin por edhe në fshatrat përreth qytetit. Me ndalimin e fesë nga regjimi komunist u hoq edhe ky top.
Dëshmi të ndërtimi të xhamive në Peqin
Xhamia e parë me minare e ndërtuar para vitit 1500 në lagjen më të vjetër të Peqinit quhej lagjja Atik, e cila ndodhet në jug-perëndim të qytetit, në pjesën më të lartë buzë lumit Shkumbin, kjo xhami ka mbajtur gjithmonë emrin “Xhamia e Vjetër”. Në këtë periudhë në Peqin kishte 7 xhami, ndërtuar në 7 lagjet e qytetit, nga këto xhami ishin me minare e qagjirë dhe tre xhami ishin me tjegulla.
Kronikani osman, Evlia Çelebi për ndërtimin e xhamive, shkruan: “Në vitin 1656 Abdurrahman Pashë Peqini ka ndërtuar në qendër të qytetit Peqin, xhaminë e madhe me minaren qiellshpuese. Kjo xhami ishte më e madhja nga 7 xhamit e tjera, që ndodheshin në Peqin. Në portën e kësaj xhamie gjendet e shkruar viti 1656 dhe shkrimi ‘I qofshim falë Zotit që kjo xhami e re u ndërtua. Cilido që do ta shohë do t’i defrejë zemra. Në mes të pranverës u krye ndërtimi i saj. Ju bekoftë Zoti, o të pasur që shkëlqyet datën e përurimit’.
Më tej Çelebiu shkruan: “Veç kësaj xhamie është e famshme dhe e bukur në Peqin edhe xhamia e Hariz Zades me hajatin e saj të bukur dhe minaren e lartë dhe të hijshme e ndërtuar me gurë dhe qagjir në lindje të kalasë së Peqinit, xhami kjo e ndërtuar para asaj të Abdurrahman Pashë Peqinit dhe shquhej për më shumë xhemat”.
Rindërtimi i xhamisë së qendrës
Për të plotësuar funksionimin e xhamisë në qendër të qytetit dhe për zbukurimin e ambienteve për rreth saj, në vitin 1815-1822, Sulejman Pashë Peqini ndërtoi kompleksin e ri, punime të cilat vazhduan 8 vjet rresht, periudhë gjatë së cilës u kryen këto punime: Përfundoi kulla e sahatit me lartësi 18 m nga bazamenti, e cila bashkë me xhaminë sot simbolizojnë qytetin e Peqinit, u bë rikonstruksioni i plotë i xhamisë së ndërtuar në vitin 1656 nga Abdurrahman Pashë Peqini me minaren elegante me lartësi 30 m nga bazamenti dhe kuben e bukur, fasada e përparme u pajis me kolona të gdhendura nga duart e mjeshtërve të gurit, u dekoruan muret e brendshme me shkrime Kur’ani, u hap një pus i ri për t’i shërbyer xhamisë, qytetit dhe kalimtarëve për të pirë ujë e për t’u freskuar, në anën lindore të xhamisë u ndërtua një medrese 2-katëshe, një furrë buke, 11 dyqane dhe një banjo publike, të gjitha këto në varësi dhe pronësi të xhamisë Peqin.
Xhamia e bukur dhe shumë funksionale së bashku me medresenë deri në verën e vitit 1967 ishin qendra praktikimi dhe mësimi të fesë islame dhe qendra shumë të vizituara nga turistët e huaj për vlerën arkitekturore dhe historike. Megjithëse xhamia u shemb dhe feja u ndalua me ligj, populli i Peqinit nuk u distancua nga feja. Në mënyrë të fshehtë aplikohej falja e namazit, agjërimi i Ramazanit dhe therja e kurbaneve. Ish myftiu Hamid Hallulli, megjithëse në moshë të thyer u dërgua punëtor betoni. Ndërkohë, gjatë muajit Ramazan, hoxhallarëve dhe atyre që njiheshin si besnikë të fesë islame, agjentë të sigurimit të shtetit i servirnin cigare dhe ushqime për t’i prishur agjërimin, ndërsa hoxha i mirënjohur në Shqipërinë e Mesme për dituri fetare, Osman Haskasa u dënua me burgim nga regjimi komunist për ushtrim e propagandë fetare. /tesheshi.com/