Sindikata franceze CGT, një nga organizatorët e protestës kundër reformës së pensioneve, ka premtuar veprime edhe gjatë Festivalit të Filmit në Kanë, megjithëse do të ndalohet në afërsi të sallës së festivalit.
Prefektura e policisë së Kanës vendosi ndalimin e protestave nga 16 deri më 28 maj, gjatë Festivalit të 76-të Ndërkombëtar të Filmit.
Ndalimi i tubimeve vlen për rrethinat e sallës së festivalit dhe rrugët fqinje.
Policia ka deklaruar se një ndalim i tillë ka qenë në fuqi edhe vitin e kaluar, raporton AFP.
Nuk përjashtohen veprimet e papritura
Sindikata njoftoi se do t’i kryejë aksionet e saj nën sloganin “CGT po xhiron edhe filmin e saj në Kanë”.
Sindikata, e cila nuk ka përjashtuar veprimet e papritura, po planifikon për 19 maj një tubim para hotelit “Carlton”, i cili nuk mbulohet nga ndalimi i policisë.
Aksioni i dytë do të jetë më 21 maj në një bulevard ku gjithashtu nuk do të jetë në fuqi ndalimi i policisë.
Këto do të jenë protesta për shkak të miratimit të ligjit për reformën e pensioneve, si dhe kushteve të sigurimit të të papunëve dhe kushteve të sigurimit për punonjësit sezonalë. /tesheshi.com/